SHARE

Bëj be, çastin kur u lind bota,
për atë çast kur shuhet jeta.
Bëj be për krimet më gjak ftohta,
për çdo gëzim që ka e vërteta!

Bëj be për brengën sterrë të gjatë,
për gazin e ëndrrës së rreme.
Bëj be takimet më supreme,
dhe ndarjen që na sjell mandatë.

Bëj be për shpirtërat e munduar,
që në sundim i kam në dorë.
Bëj be për shpirtërat engjëllorë,
armiqtë e mi të përbetuar!

Bëj be rrufe për qiell e dhe,
për ty për nurin tënd egrush;
Bëj be për çastin që më pe,
për atë lot që të ra prush.

Për buzën tënde gjak e afsh,
për tërë brengat e gëzimet,
për flokun tënd hapur mëndafsh.
Bëj be dashurinë time!?

Oh, më beso, jam filli vetë.
Të pashë e zemra ngrirë më mbeti.
Zgjodha veç ty, veç ty për jetë,
veç ty ta shtroj nën këmbë pushtetin!

O shpirt a di ku do të shpie?
Mbi qiej yj-margaritarë.
Ti mbretëreshë gjithësie,
dhe shoqja ime më e parë.

Braktisi pra ato dëshira,
një fat nga bota pa lezet!
Ty një parajsë plot mrekullira,
ka hapur portat e të pret.

Një turmë shpirtërash të stuhishëm,
po t’i bëj zap e t’i jap.
I ke shërbyes të magjishëm,
të të përgjunjen në çdo hap.

Për ty, nga yjet do të vjedh,
kurorëzën më të praruar.
Nga lulet vesën do të mbledh,
të të stolis gjithçka të çmuar.

Do ngjyej vellon tënde ar,
me rreze purpur perëndimi;
Do mbyt në aroma kundërmimi,
çdo vend ku ecën ti mbi bar!

Ti kudo qofsh, do ndjesh në vesh,
Më të mahnitshmet zëra lire.
Pallatin tënd do të ta mvesh,
me qelibar e xhevahire.

Në fund të detit do të bie,
mbi re të shpie, e kudo…
Të fal sa njeh e sheh mbi dhe,
Më dashuro… ?!