SHARE

Ato hedhin zaret,
por nuk pyesin nëse duam të marrim pjesë në lojë.
Nuk duan t’ia dinë nëse ke lënë një burrë,
një shtëpi, një punë, një karrierë, një ëndërr.

Perënditë nuk duan t’ia dinë për faktin se ti do një jetë
ku çdo gjë të jetë në vendin e duhur,
ku çdo dëshirë mund të arrihet me punë dhe këmbëngulje.

Perënditë nuk i kushtojnë rëndësi planeve dhe shpresave tona.
Në një vend të universit, ato hedhin zaret,
dhe rastësisht të zgjedhin ty…

Nga ai moment e më vonë,
të humbasësh apo të humbësh është çështje mundësish.
Perënditë hedhin zaret dhe lirojnë dashurinë nga kafazi i saj.
Kjo forcë mund të krijojë ose shkatërrojë,
në varësi të drejtimit, nga i cili fryn era
në momentin kur lirohet nga burgu i saj.

Dashuria mund të na shpjerë në ferr ose në parajsë,
por gjithsesi ajo na dërgon gjithmonë në një vend.
Është e rëndësishme ta pranosh gjithsesi,
sepse ajo ushqen ekzistencën tonë.

Nëse nuk e pranojmë,
do të vdesim urie duke parë
degët e pemës së jetës plot me fruta:
nuk do të kemi guximin të zgjasim dorën dhe t’i mbledhim.

Është e rëndësishme ta kërkojmë dashurinë atje ku ndodhet,
edhe pse mund të duhen orë, ditë, javë zhgënjimi dhe trishtimi.
Sepse në momentin kur nisemi në kërkim të dashurisë,
edhe dashuria lëviz për të na ardhur pranë.

Dhe na shpëton.
Dhe në dashuri nuk ka rregulla.

Mund të përpiqemi të ndjekim manuale,
të kontrollojmë zemrën,
të krijojmë strategji për sjelljen tonë,
por të gjitha janë të parëndësishme.

Vendos zemra dhe kur ajo vendos, vetëm ai vendim ka rëndësi…

Paulo Coelho