SHARE

Tej dritares është ngrohtë
njerëz janë ulur në tavolina
qyteti nis e del prej vetes
në rrugë bredhin klube e makina.

Nuk është e thënë të jem krejt i vetëm
s’është e thënë të jem as vet i dytë
me miq të rastit mbushet nata
një vend do gjej ku dhe të çlodh sytë.

Kam ftohtë e s’të shoh pranë
mendoj, mendoj se si
avujt e ngrohtë të frymës time
si zogj të bardhë e të verbuar mbërrijnë te ti.

Në ëndërr vijnë, e qetë këndojnë
e unë me sytë pak mbyllur rri
kokën ngre lart, dëgjoj ngadalë
këngën e hënës të brishtë si zanë që solle ti.

E di se hesht hija ime
e di se lotët s’flasin kurrë
ata dëgjojnë veç fjalët e mia
në heshtje qëndrojnë dhe ata si unë.

Pas pak ngadal do të iki
që lotët të shkoj t’i fshi diku
këtu pranë, mbase atje larg
pas pak ngadal do kethehem unë.