SHARE

Tani kam ndryshuar pak, jam jo vetëm më i ri, por më ka ndryshuar dhe trupi, tani kam katër këmbë, më pëlqen kjo, mbahem shumë më mirë në këmbë, i kapur fort pas tokës. Edhe kur pi shumë, s’kam frikë të bie. Në të kundërt me njeriun primitiv, me kangurin dhe pinguinin, tani asgjë s’më trondit aq lehtë. Por jo vetëm kaq : tani nuk kam më nevojë për rroba. Rrobat s’janë praktike, çfarëdo qoftë forma e tyre, e pengojnë frymëmarrjen e lëkurës. Lakuriq ndihem më mirë. Më e rëndësishmja është se nuk jam as mashkull as femër – jam një hermafrodit. Më përpara, thjesht sa e përfytyroja ndjesinë e penetrimit, ngaqë s’isha homoseksual. Tani e kam njëfarë ideje, është një përvojë themelore që e prisja prej shumë kohësh. S’kam më asgjë për të shpresuar.

Disa lexues pyesin veten nëse jeta, në shpellën më të bukur dhe me krijesat më të adhurueshme, s’do të bëhej e mërzitshme pas mijëra vjetësh (madje qindra mijëra vjetësh në rastin tim). Jo, nuk besoj, të paktën jo për mua. Nuk më duket e mërzitshme të përsëris pafundësisht atë çfarë më pëlqen ta bëj, madje do të thosha dhe këtë : lumturia e vërtetë është përsëritja, në rifillimin e përhershëm të së njëjtës gjë, si në kërcim dhe në muzikë, për shembull Autobahn e Krafwerk. Njëlloj dhe për seksin : kur mbarojmë, duam të rifillojmë. Lumturia është një zakon, një zakon që mund të përqëndrohet në gjëra kimike ose në qenie njerëzore, e kur i kam me vete pilulat apo miqtë e mi, s’kam më nevojë për asgjë. Mërzia është alternativa e lumturisë, e përditshmja e rëndomtë, produktet e reja, informacionet, edhe të paraqitura në mënyrë tërheqëse. E kam gjetur lumturinë në shpellën time, s’kam më ç’të shpresoj, bëj dush kur të ma thotë truri. Jashtë bën nxehtë dhe shumë dritë, mendoj ca për Gjermaninë ku kanë jetuar bashkë shumë njerëz në hapësira të ngushta, dhe jam i lumtur që parajsa s’e njeh mbipopullimin. Njerëzit janë të lirë ta zgjedhin varrin e tyre, i japin makinës aq shpejt sa duan.

Hap sytë dhe shoh se ëndrra ime është sipërfaqësore. Ndez një cigare tjetër, kafshoj pak filtrin, në fakt nuk ka harmoni në univers. Në çaste lumturie, për shembull duke vështruar një peizazh të bukur, e di menjëherë se unë nuk bëj pjesë aty, bota më shfaqet si diçka e çuditshme, nuk njoh asnjë qoshe ku të mund të ndihem në shtëpinë time. Zoti, as ai s’mund ta zgjidhë këtë problem, madje nuk besoj në zot, s’është e nevojshme, as këtu e as në parajsë. Besoj tek dashuria, kjo është e vetmja gjë e vlefshme që ne zotërojmë, më e mirë se një program fitness, më e mirë se sporti. Mbase një ditë ëndrra ime e përjetësisë do të realizohet, e atëherë do të jem një krijesë me këmbë, flatra apo tentakula, mbase gjetkë. Në kundërshtim me shumicën e njerëzve, s’kam frikë nga vdekja, duke u mplakur unë rizbuloj rininë time, të harruar qëkur dhe herë pas here kur gjërat shkojnë keq, mbyllem qetësisht në punën time. Librat e mi më sigurojnë tashmë një formë pavdekësie.