SHARE

Tjetër nuk di ç’të them për mënyrën se si shkruaj romanet e mia. Ajo që unë e çmoj si të rëndësishme është se ato duhet të marrin disa vjet kohë. Nuk mund ta kuptoj atë autor që shkruan roman për një vit (ata mund të jenë të mëdhenjë dhë unë i çmoj për këtë, por nuk u lakmoj). Bukuria e të shkruarit të një romani nuk është si bukuria e transmetimi të drejtëpërdrejtë, ajo është bukuri e një lloji më radiofonik ose televiziv.

Gjithmonë më duket se bie në kundërshtim me vetveten, kur them se njërin prej romaneve të mia e kam çuar deri në fund, kjo sipas logjikës së tij të brendshme do të thotë si ai mund të vazhdojë deri në fund, kurse unë duhet të praj. Ndiej se po të vazhdoja edhe më tutje, do ta burgosja. Bukuria, gëzimi, qëndron në të ekzistuarit për gjashtë, shtatë, tetë vjet (mundësisht deri në pakufij) në një botë, të cilën je duke e ndërtuar hap pas hapi, dhe e cila shndrrohet në botë tënden.

Trishtimi fillon kur romani të jetë përfunduar.
Kjo është arsyeja pse do të dëshiroja që edhe një herë, madje menjëherë, ta shkruaja edhe romanin tjetër. Por, nëse ai nuk është aty, duke të pritur, kot e ngut kohën.
Megjithatë, nuk do të dëshiroja që këto pohimet e fundit të ngacmonin dikë për të shkruar menjëherë një roman tjetër, aq më pak shkrimtarët e këqinj: se shkruajnë vetëm për veten e tyre. Besoni po deshët atij që thotë kështu, por ai është vetëm një narcisoid i pandershëm dhe i rremë.

Ekziston vetëm diçka që mund të shkruhet vetëm për vete, kjo është lista e shpenzimeve. Ajo shërben për të kujtuar se çfarë duhet të blesh në treg, pasi t’i kesh blerë mund ta hedhësh, sepse nuk i shërben më asgjë askujt. Çdo gjë tjetër që mund ta shkruash, do ta shkruash për t’i thënë dikujt diçka.
Shpesh më kanë pyetur: “A do të shkruaje përsëri po të të thoshte dikush se nesër do të ndodhë një katastrofë kozmike, e cila do ta shkatërronte gjithë universin, kështu që askush nuk do të mund ta lexonte nesër atë që ti do ta shkruaje sot?”

Në shikim të parë, përgjigjja është jo. Përse të shkruaj, nëse askush nuk do të më lexojë?! Në një nivel tjetër përgjigjja është po, por vetëm sepse e ushqej një shpresë të pashpresë se në katastrofën e galaksive, ndonjë yll do të mund të shpëtonte dhe nesër dikush do t’i deshifronte shkrimet e mia. Të shkruash, pra, edhe në prag të Apokalipsit, do të ketë gjithnjë kuptim.
Shkruhet vetëm për një Lexues. Kush thotë se shkruan vetëm për vete, jo vetëm që gënjen, por në mënyrë të llahtarshme është edhe ateist. Edhe nga pikëvështrimi krejtësisht laik.
I palumtur dhe i pashpresë do të jetë ai që nuk i drejtohet një Lexuesi të ardhshëm.