SHARE

“Je shëndoshur shumë; duhet të shkosh në palestër; sa keq e ke hundën ti, ta prish gjithë bukurinë; pse nuk e rimodelon hundën me operacion plastik?; sa të janë shtuar aknet…” Këto e shumë nshprehje të tjera i dëgjojmë thuajse përditë në grupet tona shoqërore. Ndoshta dikush nga ne ia ka thënë dikujt tjetër me shaka, apo ndoshta si një sugjerim, por ofendimi mbetet aty. Ne ia kemi vënë në dukje diçka, për të cilën ai/ajo nuk është se ndihet shumë mirë.

Unë, ti, apo çdokush tjetër, e dimë se ku qëndron defekti tek vetja jonë. Edhe nëse ajo është diçka shumë e vogël, kur të tjerët ta vënë në dukje, çdokush do të fiksohej pas asaj gjëje dhe do t’i dukej sikur fatkeqësia më e madhe t’i ketë ndodhur vetëm atij apo asaj. Do t’i dukej vetja sikur nuk do të ishte mjaftueshëm i pranuar dhe i dashur nga shoqëria. Do të ndihej i kotë, një hic në mes të “perfeksionit” të atyre që e rrethojnë. Sa shumë raste të tilla kemi dëgjuar. Edhe mbreti i muzikës pop, Michael Jackson, kushedi se sa operacioneve plastike iu nënshtrua vetëm për të mos ndjerë paragjykimet e të tjerëve. Arriti në ekstremin sa qe ndryshoi ngjyrën e lëkurës, sepse kishte nga ata që e ofendonin për këtë pjesë…

Ah sikur ai dhe kushdo tjetër që paragjykohet, të kuptonte se si funksionon realisht njerëzimi. Ne nuk shohim asgjë si mjaftueshëm të bukur. Kur një person ka tipare të pranueshme, e paragjykojmë për karakterin dhe anasjelltas. Kur ka një karakter të fortë, e gjykojmë për paraqitjen. Perfektë na duken VIP-at e photoshop-it që kujdesen në maksimum për look-un, dhe ato për çfarë thonë përpara kamerave, ndërkohë që pas kamerave janë diametralisht të ndryshem nga çfarë paraqesin për publikun.

Ndaj, nëse ti sot ndihesh e paragjykuar nga shoqëria jote, mos e mendo ta ndryshosh veten tënde. Ndrysho shoqërinë, jo veten. Ti je ajo që duhet të ishe. Nëse ata do të ishin miq të mirë, kurrë nuk do ta shihnin aq shumë paraqitjen tënde, sa karakterin tënd. Do të vlerësonin për vlerën dhe pasurinë shpirtërore që ti u ke falur në shoqëri. Mirëpo ka disa persona që vlerën tënde e masin me bukurinë, ndaj është koha që edhe ti t’i japësh aq respekt sa meritojnë. Mbi të gjitha, shiko rreth vetes tënde. Me plot njerëz që të duan dhe fitojnë jetë nga prania jote në jetën e tyre. Për ata ti nuk je e shëmtuar. Për ata ti nuk je dështake.

Dije se bukuria ikën; fytyrën e mbulojnë rrudhat; trupi kërruset; lëkura e humbet elasticitetin e saj; dhe pas gjithë kësaj metamorfoze, çfarë mbetet? Shpirti.

Bukuria nuk është një fytyrë e bukur. Bukuria është një shpirt i bukur dhe një zemër e pastër. Nëse ti i ke këto, mos e vrit shumë mendjen për paragjykimet e të tjerëve. Haje çokollatën tënde të preferuar pa u shqetësuar se do të shtosh kile. Mbaj fytyrën tënde natyrale pa hedhur kremin e pudrës që të mbulosh puçrrat apo njollat që dikush t’i ka vënë në dukje. Dil, kënaqu, argëtohu për qejfin tënd, jo për opinionet e të tjerëve. Ti je e bukur në mënyrën tënde dhe make up duhet të vendosësh për t’u ndjerë më mirë vetë, jo kur ta diktojnë të tjerët…