SHARE

1.

Nëse e shihni
një burr
që bredh udhëkryqeve
duke kërkuar veten e humbur
Ta dini,
është ai
që ia masakruan fëmijët në luftë
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni

2.
Nëse e shihni
një grua
të strukur
e që ik nga bota
Ta dini,
është ajo me shumë shoqe
që është përdhunuar
e ti dhe unë
nuk i dolëm në ndihmë
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni

3.
Nëse e shihni
një grua
që duket se heq qime
nga robat e trupit
Ta dini,
është nëna e vajzës
që kërceu nga kati i shtatë
e dashakëqijtë thonë
Kush e di se për çfarë arsye
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni

4.
Nëse e shihni
një burr
duke bredhur plehërave
Ta dini,
gërmon hedhurinat tuaja
që t’i ushqejë fëmijët
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni

5.
Nëse e shihni
një njeri
duke u krekosur kryeqytetit
me makina kokëboshe
e luks të pamerituar
Mos iu përkulni
e mos e lini të qetë
nëse doni t’i ndihmoni
vetes…