SHARE

..Të burgosurit nuk janë si njerëzit që shohin diellin dhe yjtë. Kanë gjuhën e tyre. Kanë nervat e tyre. Kanë huqet e tyre. Edhe në shtëpinë tënde të jesh e, po të mbyllësh derën nga jashtë, të duket sikur s’ngopesh me frymë… Pale në burg, në qeli! Dhe, ngaqë trupi mbetet në vend brenda katër mureve dhe shpirti arratiset duke kërkuar gjurmët e djeshme të këmbëve, formohet në tru një mjegull e dendur, e dendur, si era e qelisë, si firoma e korridoreve të burgut…

Unë nuk e di se nga rrjedh kjo fjalë e rëndë me katër gërma: burg… dhe as që e di se kur njeriu mendoi këtë lloj dënimi për veten e tij.
S’ka kufi dëshpërimi, kur e shef se po largohesh nga vendi yt, i lidhur këmbë e duar, për të vdekur kushedi se ku, larg njerëzve të tu, larg qiellit të shtëpisë sate…
E, po të isha unë në vend të tij, si do të sillesha? Ç’do të bëja? Dy ditë e dy net në këmbë duke pritur vdekjen në litar. E ç’do të mendoja unë? A do më punonte më truri? Apo çdo gjë do të përkufizohej vetëm në përfytyrimin e trekëmbëshit. Njeriu përgatitet duke bërë edhe prova për tu paraqitur para së dashurës dhe me tu afruar e humbet toruan.

Me duar të lidhura në gjoks, prisja siç prisnin të gjithë. Gryka frynte me frymën e mistralit. Po gjithë këta pleq që rrinë kokulur ç’mendojnë vallë? Këta pleq me ato fytyra të vrazhda dhe të heshtura, ku e kanë tani mendjen! E rëndë është për një plak të mendojë se do të vdesë larg fshatit ku u rrit e ku u bë pjesë e pandarë e plisit dhe e gërxhit, e brazdës dhe e vatrës. S’kanë as duhan për të lehtësuar dhembjet e rënda… Ja si e ashpërsojnë fytyrën, sikur i thonë mortjes: “Mos! Këtu jo! Atje, atje, ku fryn era e maleve tona! Atje te ligjërimi i lumenjve që zbresin nga malet me dëborë. Pleqtë nisën të bënin kryqin kokulur…

Po të dënuarit, pa liri, pa krahë, edhe kur ha, i duket se s’ka ngrënë. Se trupin ia hanë hekurat, marrazi, ëndrrat, nervat…
Mendimet e mia ishin bërë shkrumb, si barërat e djegura nga dielli. Aty për aty s’dija se çdo të ngjiste. Po, me t’u afruar në derën e madhe të kështjellës, u ndalëm…