SHARE

Përshëndetje!

Më mban mënd?!

Dikur isha mendimi yt!

Dikur dëgjonim të njëjtat këngë, u mësuam të ndjekim hapat e njëri-tjetrit në vallëzime prekjesh! Mësuam se kemi shije të ndryshme për muzikën, për pijet, për filmat, për pikturat, përfunduam dhe në shije të ndryshme për njerëzit. Në kapituj të vegjël shkruam histori të gjata, në fjali të shkurtra zgjatëm jetën! As vetë nuk e dinim që do të duheshim kaq fort për t’u zhdukur aq lehtë prej njëri-tjetrit!

Nuk hezitoja të hiqja dorë nga një ditë pune vetëm për të qënë aty ku mendoja se koha më e mirë ishte pranë teje, dhe duke e zhveshur xhaketën e pendimit, të humbisja në rrugën tënde duke pëshpëritur: se di a ka mjaftueshëm nesër për gjërat që i dua me ty!

Fragmentet e jetës që zgjodhëm t’i rrugëtojmë të dy, më çuan në një botë ku pafundësia do ma kish zili frymën! Përqafova fort atë cfarë ishe ti në atë moment, veten fillova ta dua më shumë, gjurmët nuk m’u fshinë se smbajti më vënd kujtimi, por cdo histori jepte më shumë peshë se tjetra, i rënduam emocionet, vetëm ajër dhe kohë për të të dashur më shumë, kaq më duhej!

Të kujtohem kur qeshja me shpirt kur batutat e tua ishin më të forta se një gudulisje? Kur nuk largohesha prej teje pa më puthur? Lozonjare ndërkohë që zgjidhja një ëmbelsirë, tekanjoze për një restorant, e dashur, e dashur deri në palcë me ty.

Të kujtohet kur ishim dy?! E më thoje si kam jetuar pa ty? Kur në portofol mbanim fotot e njëri-tjetrit e nuk hezitonim t’jua tregonim miqve? Do të doja të gjeja një mënyrë tjetër për ta thjeshtuar kohën time, jo duke e komplikuar me ty! Kam filluar një jetë të vjetër me gjëra të reja! Sepse ti e di, unë nuk do t’i bëja të gjitha njësoj.

Më thuaj, e kujton ditëlindjen time? Po përvjetoret tona, të janë bërë akoma një ditë e zakonshme? Premtimet që më bëre, a janë veshur ende me vrullin e përditshmërisë apo i mban peng?

Dua të besoj se sot ke dikë që e do, që mes jush të ketë kimi që në përfundim ju bën të pandryshueshëm, se plagët që të kam lënë janë shumë të papërpunuara që të rrezikojnë të biesh  përsëri.

Unë nuk besoj se më ke harruar, ne thjesht nuk kemi më rëndësi për njëri-tjetrin. Unë e di se dashuria nuk është e përdorshme… Pyes veten, dhe ndoshta shpresoj se, në qoftë se ne ndonjëherë vetëm për të detyruar veten, do të mundemi të harrojmë…

A i mban mënd të gjitha?! Të kujtohem kur më doje? E mban mënd si ishte të mos kishe një zemër të thyer? Kur përgjigjeshim me fjalën “patjetër shpirt”. U mësuam keqaz me të qënurit dy! Dy njerëz të paplotësuar që visheshin në një të vetme! Dy njerëz të vetëm që mbetën paplotësuar!

Des’aintila