SHARE

Me gotën tënde, më zgjat dorën dhe mbush pak edhe timen. E pive? Kaq shpejt? Unë druhem të të them se e pi pa vetëdije… Kam ende në trup një drithërimë sikur po të takoj për herë të parë, kam ende të pambaruar shumë emocion për ty.

Më janë tkurrur fjalët dhe në fytyrë më lexohet vetëm një buzëqeshje, është ajo e rikthimit. Sa dua ta zhbëj këtë moment, ta mbledh grusht si një copëz letër e të mos ekzistojë ky cast i ngurtë, të të hidhem në qafë për një përqafim sic bëja dikur…

Unë kam qënë këtu para së gjithash, kushedi sa të tjera pas meje janë ulur në prehërin e zemrës tënde, sa përqafime e fjalë janë derdhur, sa premtime kanë mbetur ndër dhëmbë, sa të tjera u deshën që të vija prap unë? Se di a më kanë mbetur më fjalë pa thënë për ty, por e di që kam shumë për të treguar…

Me gotën në duar rrotulloj edhe njëherë botën e kthehem me këmbët në tokë, më vjen të të pyes vetvetiu nëse të mungoj, të gjej mes gërmash ndonjë shenjë të lënë peng a ndonjë fytyrë që kërkon të shohë prap si dikur. Erdha prap këtu, në vendin ku dikur më përkiste, ndërsa sot duke konsumuar dy figura para sysh ndjej sesi kjo pikë takimi nuk është më përqafimi i dy botëve.

I dorëzohem në duar castit… Asnjëherë nuk jam ndjerë më e lehtë se kaq, asnjëherë smë ka peshuar shpirti si një pendë lëshuar prej duarsh! Këtu po të lë gjithcka që nuk të kam thënë, e ndërkaq nuk guxoj të iki pa një përqafim a pë një gjysëm shpresë lënë ndezur si dritë në korridorin e jetës, nuk më bëjnë këmbët të kthehem dhe njëherë tek gota ime e boshatisur…

Është e vështirë të përpiqesh të të tregosh ty se do të jem gjithmonë këtu, edhe kur largohem,  unë një pjesë timen e lë në folenë e ndërtuar me grimca të vogla ndër vite, unë një pjesë timen do ta lë përherë në emrin tënd!

Nuk po kërkoja ndonjë gjë të madhe atë pasdite, thjesht një njeri!

Des’aintila