SHARE

Kujtoj me mall një çast gëzimi
Përpara sysh m’u shfaqe ti
Si vezullim i një vegimi
Si engjëll plot me bukuri.

N’andralla jete zhurmëkote
Me dhimbje brengash e mërzi
Me grishte larg fytyra jote
Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.

Nga shqotë e kohërave që shkuan
Kështjell’ e ëndrrave m’u shemb
Me mjegull vitet ma mbuluan
Fytyrën tënde, zërin tënd.

Ç’i ngrysa ditët gjithë brengë
I zymtë dhe në shkretëti
Pa Perëndi, pa shpresë e kengë
Pa lotë, jetë e dashuri.

Por ja! Më shkrepi prapë agimi
Se përsëri u shfaqe ti
Si vezullim i një vegimi
Si engjëll plot me bukuri

Dhe rreh me gaz kjo zemra ime
Sepse ju kthyen përsëri
Dhe Perëndi, dhe frymëzime
Dhe lotë, e jetë, e dashuri.

Aleksander Pushkin