SHARE

Mëndja gjithëkund rrotullohet përvecse në gjëra të padëshiruara, ashtu më erdh ndjesia që i lamë ne të dy heshtjes së largimit e pluhurit të mallit ngritur ndërmjet, unë edhe ti, që dikur ishim të pandarë e lotëve në sy u shtuam premtimin përgjithmonë.

Ne i grisëm gërmat e fjalës përgjithmonë, fjala “gjith” mbeti si një peng në copëzën që më rrëshkiti nga duart, njësoj si e pabindura zemër. Mjaftueshëm zjarr, mjaftueshëm shi, derisa u dogjën dhe u shuan zemrat brenda një natë. U shkulën rrënjet e shpirtit e peshë u ngritën lotët, nuk dija më nëse të urreja apo thjesht për dreq të doja, të doja fort.

Një ditë më shumë në pritjen e shfaqjes tënde, një fije shpresë e fikur aty për aty, një ditë më shumë në zgjim me sytë mbetur peng në ekranin e telefonit, një fije shkrepse ndezur fikur në cast, këtë fragment sekondi ma përkthen pasqyra në një shikim. Falmë, i thashë vetes kur ja pulita sytë fshehurazi. Vetja është mikja dhe armikja më e pastër, ai shikim që më tradhëton e më vesh po prap me besim, falmë prap, vetja ime.

Falmë që të hidhërova kaq fort.

Falmë që shpirtit tënd të bukur i dhashë kaq trishtim, nuk kam dashur asnjëherë të të dua më pak se të tjerët.

Bën diell dhe rrezet pak nga pak guxojnë të gjejnë prehje për në skutat e zemrës, unë ende ja kam frikën, nuk jam përmirësuar, as nuk jam rritur, thjesht u bëra e fortë, fuqinë e gjej cdo ditë teksa kërkoj me ngulm të ngrihem edhe pas rrëzimit, e më fort dua pas lëndimit. Një ditë do të të tregoj sesa dashuri prej shpirti mund të japë sërisht një zemër e thyer, po deri atë ditë do vazhdoj të dua veten me shpresën se edhe ti do të mësosh prej meje…

Vetja ime, mbaji sytë hapur të mirave të botës, trishtohu pak e kur të lumturohesh gëzoju jetës, gabohu dhe mos ndjej pendim, mos i ngarko shpinës së ditëve të tua lot… ti bart një pikë të dobët që ndërmjet të gjallëve i thonë shpirt! Falmë që të shkunda prej butësisë tënde, ja kam patur frikën lumturisë e kam shtrënguar dhëmbët kur e kam jetuar.

Natës ja rrëfej sekretet, dëgjuesja ime e heshtur, njëmijë fjalë t’i them vec me sytë drejtuar hënës, lundroj në ty me gjithë zemër, vetja ime dashuri!

Des’aintila