SHARE

Kanë ardhur kohëra të vështira. Të rinjtë nuk po lexojnë aq sa më parë…

Këtë mund ta provojë çdo mësues në vend, por edhe çdo i ri që e sheh realitetin rreth vetes. Nuk ka më të rinj që lexojnë. Të gjithë i sheh pubeve, lokaleve, rrugëve të qytetit me celularë në duar.

Vetëm ato, bibliotekat, janë bosh. Libraritë janë bosh. Nuk ka njerëz në to që të lexojnë. Nuk ka njerëz të dashuruar pas aromës së librave.

Bie në sy vazhdimisht mbushja me studentë e bibliotekave gjatë periudhave të sezonit. Më pas, çdo gjë i kthehet rutinës së përditshme. Gjatë muajve kur nuk ka sezon, vendet në biblioteka zihen nga të moshuar që ende lexojnë me pasion.

Ku po shkojmë? Drejt rrënimit, sepse një shoqëri nuk ecën përpara me individë që nuk lexojnë. Një shoqëri nuk ecën përpara me mungesë kulture. Të rinjtë e sotëm konsiderohen humbje për shoqërinë, në kuptimin që nuk do t’i shërbejnë asaj në mënyrën e duhur.

Që një vend të ecë përpara, duhet të ketë kontributin e të gjithëve, e mbi të gjitha të atyre që mund ta çojnë përpara këtë shoqëri me dijet e tyre.

Nëse pyet një person të moshës së dytë që e ka neglizhuar shkollën në kohën e vetë dhe tashmë bën një punë të thjeshtë, lidhur me atë çfarë do të ndryshonte në të shkuarën e tij, me siguri që do të përmendte edhe rëndësinë e arsimimit.

Më kanë ndodhur shumë raste të tilla dhe tashmë jam i bindur se të gjithë pendohen që i kanë lënë librat pas dore, vetëm kur i vuajnë pasojat e kësaj neglizhence. Sepse kjo gjë funksionon si çdo gjë tjetër. Nëse e lë pas dore për shumë kohë, edhe ajo “të lë pas dore”.

Nuk janë budallenj ata të paktët që lexojnë. Ata duan të bëjnë ndryshimin dhe me vullnetin që tregojnë duke lexuar pa u shkëputur nga librat, kanë për t’ia dalë mbanë në jetë. Ata kanë kuptuar se ndryshimi vjen nga vetja dhe se vetëm me dije dhe kulturë, mund të ecësh përpara në jetë.

Bëje edhe ti këtë gjë. Merre një libër dhe lexoje. Gjeje një roman dhe shfletoje. Nëse ulesh disa orë në ditë për të lexuar, do të ndihesh shumë më mirë së të rrish po ato orë përpara celularit tënd. Libri nuk të streson. Libri nuk të dëmton. Libri është pasuri. Dija është pasuri.

Nëse ti je një nga ata të paktët që lexojnë dhe e shijojnë kohën e leximit, mos ngurro të nxisësh edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Huazoji atyre ndonjë libër. Ndihmoji ata të ndryshojnë.

Ndihmoji të bëhen më të zgjuar dhe më të kulturuar, sepse personat që i do shumë, duhet t’i ndihmosh të rriten njësoj me ty, jo t’i braktisësh kur ata kanë nevojë për ndihmën tënde. Ndihmoji të jenë më të kulturuar. Ndihmoji të kuptojnë se në jetë mund të humbin gjithçka, përveç dijes së fituar nga librat…/bota.al