SHARE

 

 

Mbrëmje tani sì përherë si të gjitha, ashtu si e djeshmja, ashtu edhe si një natê para saj….e njëjtë.

Prap dielli perëndoi i kuqërremtë netët të errëta, agimet e bardha. Megjithëse do të thoja tani ndoshta edhe ndonjë mund të jetë i zymtë, gri sepse dimri avash-avash po shtron qilimin e tij.

Netët të gjata e pa fund.. Nuk e di si mund të jenë këto netë kur ëndrrat kanë humbur.

U bënë vite që ne i kemi vrarë i kemi harruar. As na bie ndërmend që dikur kishim.

Sot nuk e di përse nuk kam dëshirë ti kujtoj këto ëndrra, thjesht dua të shikoj përtej realitetit.

E Shtunë sot…

Edhe pastaj ç’farë?

Asgjë…mendoj…

Kush më bëri të besoj se erdha në këtë botë të jem gjysma e dikujt..

Ose dikush të mund të jetë gjysma ime ,ndoshta nevoja për të plotësuar boshllëqet e viteve, ndjenja përkujdesje që pritëm, por kur nuk na i dhanë. Ndoshta dikush priste dhe nga ne, dhe ne nuk i dhamë.

Dua të gjej diçka një motiv ta dua këtë ditë të jetë imja…

Dua të gjej diçka të vërtetë mes gënjeshtrave që ëndërrojnë të bëhen të verteta..

Të fsheh frikën që rri fshehur thellë në qënien time, ndoshta më mirë do të ishte ta vrisja.

Ta vrisja atë frikë brenda meje, atë frikë që më mbollën dikur foshnje.

Sepse jam femër dhe duhet të kem gjysmën time të më plotësojë. Dhe unë e nënshtruar e pranova…

Por kjo gjysëm nuk i përshtatet shpirtit tim, e mbyt e shtrëngon..

Ndoshta u rrita shpejt dhe fjalët e zhubravitura më mbysin..

Kush më bëri të besoj ?

Se nuk mund vetëm, se kam nevojë për paterica të mbështetem..

Se kam nevojë për një gjysëm të plotësohem.

I hedh poshtë këto teza që na kanë bërë të besojmë se jam femër dhe për të mbijetuar duhet të gjej copat e pazlit. Po jam femër.

Krenari…

Më lini të marrë frymë të jetojë. Të gabojë si të gjithë, të rrëzohem të ngrihem, por ti korrigjojë unë gabimet e mia, të vazhdoj të eci me dinjitet jo e gjunjëzuar..

Jam femër….

E di ç’farë?

Nuk dua gjysëm të më plotësojë, nuk dua të thonë kjo është gjysma jote ideale..

Jam e plotësuar.

Mund unë të plotësojë dikë, sepse kam shpirt të mbushur me jetë me mirësi..

Këtë vetëm unë mund t’ia plotësojë vetvehtes, askush tjetër..

Asnjë shpirt tjetër nuk mund të përshtatet hermetik të bëhet një, sepse secili është prerë me metra dhe dorë tjetër…

Jam e plotë jo gjysëm…

Nuk jam perfekte, as e veçantë jam njeri si të gjithë, mund të jem më shumë njeri se ti…

gjysma ime….

Dhe tani të bjerë Qielli të më zërë nën vehte i thash, ato që më ushqyen një jetë mbas prerjes së kërthizës..

Mos të harrojmë çdo kush prej nesh mbart kryqin e tij mbi shpinë…

Le të kem një fund mbushur mirësi, jo një fund të më plotësojnë, gjysmën time…

Le ta mbaj këtë mëkat, mbi shpirtin tim..

Silvana Dhori Xhelaj