SHARE

Udhëtim në trurin e personave që nuk arrijnë të harrojnë edhe me kalimin e viteve. Ja si jetojnë pacientët me sindromën e hipermnezisë, të burgosur në një kujtesë të hekurt.

Zgjidhni një datë të çfarëdoshme të 15 viteve të fundit dhe Nima Veiseh, një artiste e re dhe kërkuese amerikane do t’jua tregojë atë ditë sikur të ishte dje. Do t’ju thotë si ishte veshur, çfarë kishte ngrënë për drekë, si ishte koha dhe nga cila anë e trenit ishte ulur kur shkonte për në punë.

Veiseh vuan nga një sindromë e hipermnezisë (nga greqishtja mnezi- memorie), kujton me shumë saktësi çdo ngjarje të jetës së saj sikur të kishte një telekamera në vend të trurit. Cilido preket nga kjo sëmundje, shumë pak njerëz, janë të paaftë të harrojnë dhe t’i lenë kujtimet më pak të rëndësishme në harresë.

Njerëz si ne. Kujtesa e Veiseh nuk është ndryshe nga e jona. Nima nuk ka pësuar dëmtime cerebrale apo trauma. Edhe aftësia e saj për të kujtuar ashtu si e jona priret ndaj kujtimeve të rreme. Mund të ndodhë që mund të kujtojë në detaje ngjarjet e 13 shkurtit në vitin 2003, por nuk di të përsërisë një emër që e ka dëgjuar 5 minuta më parë. Atëherë çfarë e bën të papërshkrueshme nga harresa?

Zbulimi. Pas shumë vite studimesh neuropsikologët kanë filluar të kuptojnë diçka. Rasti i parë i diagnostikuar me sindromën e hipermnezisë ishte ai i Jill Price, një femër amerikane 49 vjeç. Në fillim të viteve 2000 Jill kontaktoi me një neurobiolog dhe specialist i kujtesës, Jim McGaugh, të cilit i pohonte se mbante mend çdo detaj të jetës që nga mosha 12 vjeçare. Testet provuan të vërtetën.

Një kujtesë e përsosur. Jill mbante shënime të hollësishme në një ditar çdo ditë dhe kjo shërbeu për të verifikuar pohimet e saj. Gruaja mbante mend kur kishte rënë Pashka që nga viti 1980 e deri më sot. Dinte që në mbrëmjen e 19 tetorit të 1979 kishte ngrënë supë dhe listonte me saktësi të gjitha datat e takimit me McGaugh në laborator.

Historia e Jill Price u dokumentua nga gazetat dhe dokumentarët dhe filluan studimet e rastit të saj.

Të vetëpërqendruar. U vu re se e vetmja kujtesë që është e jashtëzakonshme është ajo autobiografike. Nëse i nënshtrohen një liste me fjalë nuk marrin një performancë rievokimi më të mirë se ajo e dikujt tjetër.

Ndryshimi me normën arrin pak muaj nga episodi për t’u kujtuar. Nëse një ngjarje me kalimin e kohës sfumohet, pasi i mbivendosen kujtime të reja, kush vuan nga sindroma e hipermnezisë e ka rievokimin më të freskët dhe me shumë detaje.

Asnjë ndryshim anatomik. Sekreti është mënyra sesi ruhet informacioni. Ekzaminimet e imazheve cerebrale nuk kanë treguar asnjë ndryshim në trurin e këtyre personave.

Përjashtim bën një rrjet më intensiv i lidhjeve cerebrale mes lobeve frontale (të përfshirë në mendimin analitik) dhe hipokampusit, një strukturë thelbësore në kodifikimin e kujtimeve. Ndoshta bëhet fjalë për një pasojë dhe jo për një shkaktar të sindromës hipermnezike.

Dy karakteristika të përbashkëta. Lawrence Patihis ka gjetur një të dhënë të rëndësishme. Duke analizuar 20 subjekte ka gjetur dy vlera: prirja ndaj fantazisë dhe aftësia e përthithjes. E para është tendenca për të imagjinuar dhe ëndërruar me sy hapur, e dyta është aftësia për t’u zhytur plotësisht në një aktivitet duke përjetuar çdo ndjesi.

Sinestezia. Këta pacientë janë shumë të ndjeshëm ndaj tingujve, aromave dhe detajeve vizive, gjë që bën që kujtimet të mbeten të pashlyera në kujtesë. Aftësia për të thithur hedh bazat për kujtime afatgjata dhe të detajuara.

Prirja ndaj fantazisë bën që përvojat vazhdimisht të rijetohen ditë pas dite, muaj pas muaji. Sa herë që kujtimi risillet bëhet më i gjallë.

Tempus fugit. Jo të gjithë ata që ëndërrojnë me sy hapur vuajnë nga kjo sindromë. Sipas Patihis këta persona në fëmijëri kanë përjetuar ndonjë eksperiencë që i ka detyruar të mendojnë vazhdimisht për të kaluarën e tyre. Shumë prej tyre kanë raporte obsesive me kalendarët, ditarët, fotografi, gazetat, artikuj të epokës dhe në këtë mënyrë grumbullojnë vazhdimisht.

A është gjë e mirë kjo? Në disa raste sjell avantazhe, p.sh. Veiseh ka udhëtuar në të gjithë botën për të marrë pjesë në gara të taekwondos dhe në kohën e lirë ka vizituar dhjetra muzeume. Kujton çdo detaj dhe veprat që ka parë dhe ky është një avantazh në aktivitetin artistik.

Të dënuar për të kujtuar. Ana tjetër e medaljes është më pak e pëlqyeshme. Me kujtimet nuk ikin as ndjesitë e sikletit, dhimbjes së braktisjes nga një i dashur, hijet e një funerali ose sëmundja e një të afërmi. Ato dalin vazhdimisht në formën e dhimbjeve flashback. Ndoshta me kalimin e kohës aftësia për të harruar është me të vërtetë një bekim. / Focus – Bota.al