SHARE

Zeneli asht si ajo tokë e mirë e pllehshme ku fara dosido e hjellun zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej.
I thanë:
– Zenel, thueje ti atë që s’diti shoku…
Çohet me syt e tij të gështejtë të përqëndruem mendueshëm ndër syt e mij. Dhambët e bardhë, ftyra e zeshkët, balli i rregulltë, kryet e zgjatun për mbrapa. Flet. Përgjegjet me besim të madh në vetvete. E at besim e fitoj me shum prova, mbassi gjithmon kur s’dijnë tjerët atij i takon me folë. Dhe flet me ball pak të rrudhun ne mes të syvet.
Nganjëherë – ashtu tue folë – e trathton Zenelin fantazija fëminore, i hypë kalit imagjinarë me flatra dhe fluturon nga reja në re, – por me të vumun re buzëqeshjen t’eme, kutjohet se asht tue gabue, ndalet, disi ndjehet ngushtë, ulet pa i thanë unë me ndejë, dhe mbulon fytyren me duer nga turpi. Atëherë qeshem unë, qeshen shokët e tij dhe sjellin kryet herë nga unë herë nga Zeneli.

Nganjëherë, rrallë, i mbushet mendja Zenelit dhe thotë: s’dij zotni. Atëherë mësimi nuk shkon si duhet. Nuk don me ditë për të.
Nganjëherë, gjithashtu rrallë, i futet Zenelit gëzimi fëminuer mu në zemër, asgjasend e ban të qeshi, dridhet nga gazi, s’rri urtë dhe trazon shokët. Dhe nuk ndihmojnë as qortimet as interesi i mësimit. Mue atëherë më bahet se dhe më tallë dhe më qorton Zeneli në kët mënyrë: mjaftë ma zotni mësues, mjaftë, mjaftë na mësuet si duhet me jetue, ç’ka asht mirë e bukur mjaftë na mësuet, – megjithate na po rrojmë si rrojten stergjyshnit t’onë, po n’ato mjerime, të lamun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe, na shiko njëherë njenit nëpër këmishë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bijë të fikët nga urija, një tjetër prap mezi përmbahet mos t’i bajnë dhambët brrr nga ethet…

Kështu më dukej se më qortonte me tallje ftyra inteligjente e Zenelit ndërsa qeshej.
Pra, na len pak të qeshemi – më dukej se thoshte – të gëzohemi deri sa jemi në shkollë: rroftë shkolla! rroftë arsimi! sa herë kemi këndue, e në shtëpi s’ka gaz, s’ka të qeshunt… rroftë shkolla! rroftë arsimi! që na mëson këndim e shkrim, të cillët me të vërtetë nuk kanë me na hymë shumë në punë në jetën t’onë, por mjaftë që kemi me marrë një hu…jo për gja tjetër por, për të shkrue në qiellë: rroftë shkolla! rroftë arsimi!

I la fëmitë t’argtohen dhe sillem nga dritorja. Vërej. M’at bjeshkë të naltë përball asht një pyll i madh të cillit s’i dihet kufini e ku shkuem njëherë në shteti, asht një visar që s’hahet. Vërej shfatrat e kodrave, të bregjeve, vërej ndaj arë të vetmueme në largësi, drujet, dhenë e kuqe dhe gjelbërimin e verdhë; ma afër vërej kasollat e rrasuna për dhe e që përbahen vetëm nga mbuloja e kashtës… Tretem në kontemplacjon të mërzitshëm e buzët e mija makinalishtë lëvizen, flasin me vetvete. Shpejtë kujtohen se më shikojnë fëmitë, sillem e Zeneli:
– Zotni, a po bajmë mësim?
Orë gjeografije. Marr globin në dorë. U flas.
– Po Shqipnija ku asht? – pyesin dy-tre veta e tjerët i ngrehin qafat që të shohin ma mirë.
Kur u a dëftoj shejin: një pikë e kuqe në mes të ngjyrave tjera, ndëgjohen zanet të pakënaqunë, disi të shqetsueme:
– Sa e vogël!…
– E vocerr e vocerr, mezi shifet…
– Po si Zotni, kaq e vogël Shqipnija? – çohet njeni tue kundërshtue me dorë.

Të gjithë flasim njeni me tjetrin, të shqetsuem, thue se tashti, në kët çast u ba Shqipnija e vogel, ku duhet me u vra per me qëndrue mbrenda kufinit. Vetëm Zeneli s’flet gja; më shikon në dritzen e syrit me syt e tij të mençëm, si me më thanë: zotni, shpëto situatën, si tjera herë që e shpëtove kur kemi folë për mjetet teknike të bujqsis dhe shkaku pse s’i kemi, kur kemi folë për komoditet e jetës, të cillat s’i kemi per shtetet e pasun çka na nuk jemi – gjithëherë ke shpetue situaten, shpëtoje dhe tash.
Vërej shpirtet e vegjel të shketsuem pse atdheu i tyre kaq i madh – si u duket atyne në natyrë – asht vizatue aq i vogël dhe mendojnë se asht gabim. E dij se nenesre Shqipnija në glob ka me u rritë, ka me u ba kushedi sa e madhe prej dorës së ndonjenit nga shqipotë e klasës.

Për me i ngjallë, me u a çue moralin, u flas:
– Çfarë?! Shqipnija nuk asht e vogel! Asht e madhe! Po t’u pjestonte ndër njerëz sa jemi, i bjen kaq e kaq sejcillit, sa nuk u bjen njerzve të shteteve të tjerë t’ Evropës.
– Pse e kanë vizatue pra kaqë të vogel? – me zemrim dhe tue u ndihmue me duer flet mprojtsi i vogel i drejtave t’atdheut.
Mezi permbahen së qeshunit dhe u flas:
– Pse jemi ma të vegjel se shtetet e tjerë. Por kjo s’do me thanë gja. Për me qenë të lumtun na mjafton kjo tokë që kemi, veç duhet t’ a punojmë e… – në ket cast ra zili e fmitë ma nuk kutpojshin gja nga fillosofija e lumnis që nisa t’u a zhvilloj. Duelen jashtë pa qejf, ngadalë, ende tue u skjarue me shoq-shoqin, ndërsa Zeneli mundohej të mbesi mbrapa pa u vue re.

Kur duelen të gjithë, më tha në mes të buzëqeshjes dhe hidhnimit:
– S’kemi kurgja zotni, as vegla të reja per punë, as shtëpija higjenike, të mira, si shtetet tjerë, jemi të vegjël…
E ndala. Deduksjoni i Zenelit t’em ish sa i hidhët aq edhe i vërtetë. I fola. U mundova t’a paqtoj. Nuk dij a më besoj:
Shpesh herë më pëlqente të mendoj mbi ardhëmenin e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em që t’a baj Zenelin të hypi nder majat e nalta kah shpethejnë horizontet e dritës. Mandej dhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jeten stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë: mos e merr në qaf me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafen i dëshpëruem tue pa të vett të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me u ndihmue. Prandej, kur erdh koha, i a dhash Zenelit dëftesën e lirimit, u pershendetem dhe kur shkoj m’erdh keq që s’do shifemi ma kurr.