SHARE

Çështja e dhunës, që gjeneron mbase të gjitha problemet sociale, duket si e pazgjidhshme. Pas luftërave të shekullit XX, më të përgjegjshmit e kuptuan se rreziku i dhunës njerëzore rritet në përpjesëtim të drejtë me globalizimin dhe zhvillimin teknologjik.

Pas sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, për të cilat ndihmoi pjesërisht, Albert Ajnshtajn konkludoi se shtetet kishin arritur në nivelin e vrasjeve në masë. Pas përfshirjes në krijimin e bombës atomike, Ajnshtajni e kaloi pjesën e mbetur të jetës duke punuar për “çarmatimin e botës”.

Megjithatë, nga një korrespodencë me babain e psikologjisë, Zigmund Frojd, në vitin 1932, del se Ajnshtajni është përpjekur për të gjetur zgjidhje për luftën kohë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Korrespondenca mes dy gjenive u realizua në kuadër të projektit të Institutit Ndërkombëtar të Kooperimit Intelektual, i krijuar për të ushqyer diskutimin mes mendimtarëve të kohës. Ajnshtajni në atë kohë zgjodhi Frojdin si bashkëbisedues.

Në letrën e tij të parë drejtuar Frojdit, Ajnshtajni shkruan: “Problemi është ky: Ka ndonjë mënyrë për ta shmangur njerëzimin nga rreziku i luftës?”

Ajnshtajni e zbulon veten si një lloj Platonisti në politikë, duke shpalosur vizionin e qeverisjes nga një elitë “mbretërish-filozofë”. Në fakt, ai propozonte që në vend të qytet-shteteve, e gjithë bota të qeverisej nga një grup elitar intelektualësh, që të kishte të drejta mbi liderët politikë dhe atyre fetarë.

Sipas tij, një gjë e tillë do të sillte paqe. Megjithatë çmimi do të ishte tepër i lartë për çdo lider botëror, pasi siguria ndërkombëtare në këtë rast do të kërkonte heqjen e lirisë së çdo shteti për aksione të veçanta.

Pyetja e fundit që Ajnshtajni i bën Frojdit është: “A është e mundur të kontrollosh evoluimin mendor të njerëzve në mënyrë që ta bësh dëshmi kundër psikozës së urrejtjes dhe shkatërrimit?”

Përgjigjja e Frojdit, në shtator 1932, krijon një dialektikë interesante mes optimizmit naiv të fizikanit dhe analizimit të ftohtë të psikologut.

Në analizën e tij, Frojdi shprehet me skepticizëm mbi zhdukjen e instinkteve të dhunshme dhe luftës, duke iu referuar teorisë së tij mbi ekzistencën e pashmangshme të instinkteve të kundërta.

Korrespondenca mes këtyre dy kolosëve të mendimit nuk ka marrë shumë vëmendje ndër vite. Në kohën kur u botua, në vitin 1933, nën titullin “Pse luftë?”, Hitleri kishte fituar pushtet, kështu që analizat e tyre nuk u shpërndanë gjerësisht.

Por siç po e tregon historia, ngjarjet përsëriten, ndërsa te njerëzimi, ashtu siç shkruante edhe Frojdi, ngre gjithmonë krye dualiteti mes dashurisë dhe dhunës, jetës dhe vdekjes.

Ajnshtaini ngre një pyetje thelbësore, drejtuar Frojdit:

“A është e mundur të kontrollohet evolucioni mendor i njeriut, me qëllim që ta shndërrosh atë në provë të gjallë kundër psikozës së urrejtjes dhe shkatërrimit? Këtu nuk e kam fjalën aspak, vetëm për masat e pakulturuara.

Eksperienca vërteton se në të vërtetë është e ashtuquajtura “inteligjencia”, e cila është më e prirur që të përfitojë prej këtyre sugjerimeve kolektivë shkatërrimtarë, duke qenë se intelektuali nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me frontin, por e ndesh atë në formën e vet më të lehtë dhe sintetike – në faqet e printuara të shtypit… Por, ne kemi shansin më të mirë për të zbuluar mënyra për t’i bërë të pamundur të gjithë konfliktet e armatosur.

Unë e di që, në shkrimet e tu, mund të gjejmë përgjigje, direkte apo indirekte, për të gjithë aspektet e këtij problemi urgjent. Por do të ishte shërbimi më i madh për të gjithë ne, nëse ju do të paraqisnit paqen botërore, në dritën e zbulimeve tuaja më të fundit, pasi një prezantim i tillë do të shtronte rrugën për mënyra të reja dhe të frutshme veprimi”.botimeshqip.com