SHARE

Ti je ende e vogël për ta kuptuar,
Pse dashuritë mund të marrin zjarr!
Pse prindërit janë të dy të zemëruar,
Dhe çdo të thotë mëkat apo faj!

Të jesh pa babi është një dashuri më pak,
Të jesh me mamin,
Është një dashuri më tepër!
S’do kesh aq dëshirë të shkosh në park,
Ndarë më dysh do të të duken edhe pemët!

Do të ndodhë ndonjëherë që edhe të qash,
Të prekësh me dorën tënde zemrën!
Vajzë e vogël, këtë botë e mban,
Ja, kjo dashuri që duket e tepërt!

Me mamin je, por kërkon dhe babin,
Që të ngrinte me duar përmbi re!
Dhe mami yt është pikërisht ajo,
Që sytë i ka të bukur, por me syze sheh!

Për çudi të mori mami me vete,
Në dashurinë e saj prej kristali,
Po tërë jetën në portën tënde,
Ai që do trokasë do të jetë babi!

Skender Rusi