SHARE

Një refleksion me një qartësi të jashtëzakonshme dhe me ngjyrime të forta emocionale ngjan kjo ligjeratë i poetit Dritëro Agolli, disa ditë pasi mbushi 86 vjet, në një bisedë miqësore me vëllezërit Nazarko, Mentorin dhe Shpëtimin.

Dritëroi tregon për përvojën e tij të vdekjes së kalit të tij në fshat, vdekje e ngjashme me të njeriut, për shërbimet që kali i bën të zotit, por edhe e krahason me gomarin. Të dy janë personazhe të një fabule që trajton rëndësinë e udhëheqjes së karvaneve nga kuaj dhe jo nga gomerë. Ama Dritëroi e vlerëson shumë gomarin, si kafshën për të cilën kurr nuk ka dëgjuar se e ka shtypur makina.

Ja vjersha fabulë e Dritëroit:

Kalonin në një shteg të ngushtë mali,
gomari para, pas gomarit kali.
Të dy ngarkuar me thasë mirë,
nga vapa të munduar e djerësirë.

Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte,
ndaj kalit vitheve me shkop i binte.
Por kali më në fund durimin humbi,
e ngriti bishtin dhe samarin tundi.

Hej mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,
ti para meje pse ma nxjerr gomarin?
E nga të vete s’di farë unë i ngrati,
kur rrugën ma ka zënë veshgjati.

Përpara nxirrmë mua të mos vuash,
dhe rrih pastaj gomarin sa të duash.
Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë,
Përpara nxjerrin veç gomarë.