SHARE

Që nga botimi i librit të parë në vitin 1980, Umberto Eco krijoi menjëherë identitetin e tij: për çdo botim të mëvonshëm, nuk e dije kurrë se ç’mund të prisje e megjithatë mund të ishe i sigurt se do të kishte atë prekjen e pagabueshme të stilit të tij.

Në fabulën e librave të tij, detajet e mistershme përzihen vazhdimisht me të panjohurën.

“Nuk di çfarë pret lexuesi”- është shprehur Eco, ndërsa promovon librin e tij të fundit.

“Unë mendoj se shkrimtari duhet të shkruajë për atë çfarë lexuesi nuk pret. Çështja nuk është të pyesësh lexuesin se çfarë do, për ta ndryshosh atë, të krijosh llojin e lexuesit që do vetë për çdo histori”.

Në librin e tij të fundit, “Numri zero”, një gazetar punësohet në një gazetë ende të papublikuar. I ngarkuar me detyrën për të krijuar një gazetë që mbase nuk do të shtypet kurrë, gazetari dhe editorët mendojnë të hedhin në gjyq punëdhënësin e tyre, i cili planifikonte ta përdorte gazetën për të shantazhuar elitën politike dhe financiare të Italisë.

“Unë jam filozof; shkruaj vetëm për fundjava”, – thotë Eco. “Dhe si filozof jam i interesuar për të vërtetën. Meqë është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt, zbulova se rruga më e thjeshtë për të arritur tek e vërteta është përmes analizës së falsiteteve. Do të thosha pa dyshim se 50 për qind e opinionit publik formësohet nga të pavërtetat. Ne shantazhohemi vazhdimisht prej tyre”.

“Në të gjithë librat e mi unë përdor ngjarje të vërteta, që besohen sikur janë krijime të miat. Ekziston një pajisje, për shembull, për të vëzhguar satelitët e Jupiterit. U shpik nga Galileo, por u munduan tua shisnin gjermanëve. Realiteti ndonjëherë është më magjepsës sesa imagjinata”.

“Kënaqësia e erudicionit është e rezervuar për humbësit”, – shkruan Eco, duke shtjelluar idenë e tij: “Kjo është letërsia! Dostojevski shkruante për humbësit, personazhi kryesor i Iliadës, Hektori, ishte një humbës, zonja Bovari është humbëse. Është e mërzitshme të shkruash për fitimtarët. Unë po ndjek të njëjtën rrugë. Humbësit janë më tërheqës”./botimeshqip