SHARE

“Është vajza juaj, – i shkruante, – është juaja. Ju fare mirë e dini që është bija juaj është. E kam porositur të vijë te ju pas vdekjes time dhe t’jua japë në dorë këtë letër. Në mos e mohofshi Nelin, ka mundësi që atje lart t’jua fal dhe ditën e gjyqit të madh do të jem unë ajo që do të qëndroj para fronit të Zotit dhe do t’i lutem atij gjyqtari të drejtë t’jua falë gjynahet. Neli e di përmbajtjen e letrës, ia lexova, ia shpjegova të gjitha, ajo i di të gjitha…”

–  Fjodor Dostojevski, “Të fyer e të poshtëruar”

“Goveni arriti në këmbët e skelës. U ngjit sipër. Ai i përngjiste një vizioni. Kurrë nuk ishte dukur kaq i bukur. Flokët e tij të zinj valëviteshin në erë; asokohe nuk i prisnin flokët. Qafa e tij e bardhë të sillte ndërmend një grua dhe syri i tij heroik dhe sovran të sillte në mend një kryeëngjëll.

Ai qëndronte mbi skelën e gijotinës, ëndërrues. Edhe ky vend është një majë. Goveni ishte më këmbë, i madhërishëm dhe i qetë. Dielli, duke e mbështjellë, e nxirrte në pah si ndonjë dritë lavdie.

Megjithatë, i dënuar duhej lidhur. Xhelati erdhi me një litar në dorë. Në atë çast, kur panë kapitenin e tyre të ri tek shkonte me aq guxim në thikë, ushtarët nuk duruan më; zemra e këtyre burrave të regjur në luftëra shpërtheu. Atëherë u dëgjua ajo gjë e stërmadhe, dënesa e një ushtrie. Një britmë çau ajrin: Falje! Falje!”

Viktor Hygo, Viti ’93

“Ajo qe kthyer si një kafshë që është plagosur për vdekje, se s’dinte ku të vente, se s’dinte ç’të bënte. Mjaftonte ta shihje ashtu të tulatur në qyrkun e saj për t’i kuptuar të gjitha.

Atë çast Somsi u bind se Bosini kishte qenë dashnori i saj, kuptoi se ajo e kishte mësuar lajmin e vdekjes së tij; ndoshta edhe ajo, ashtu siç kish bërë ai, kish blerë gazetën në këndin e një rruge që e zinte era dhe e kishte lexuar.

Ajo qe kthyer me dashjen e saj në atë kafaz nga i cili donte të ikte një orë e më parë dhe Somsit, që e kishte kapur kuptimin e tmerrshëm të sjelljes së saj, i vinte të bërtiste: “Ik nga shtëpia ime që mos ta shoh më atë trupin e urryer, të cilin e dua shumë! Mos të ta shoh më atë fytyrë të zbehtë e të përvajshme, aq mizore e aq të ëmbël! Ik, para se të të dërrmoj! M’u zhduk nga sytë, mos të pafsha më kurrë!”

John Galsworthy, “Saga e Forsajtëve”

 

“Orët kalonin si në torturë për Klajdin dhe Robertën. Ai ishte përherë i paduruar dhe i papërmbajtur në dëshirat e tij; kështu janë njerëzit e çdo lloj temperamenti kur ua pushtojnë shpirtin ëndrrat ambicioze. E sfiliste pa masë mendimi se ose duhej ta humbiste Robertën ose duhej t’i nënshtrohej dëshirave të saj po të donte ta mbante.”

– Theodore Dreizer, “Një tragjedi amerikane”

“… Mos e lër djalin tim të rritet si unë. Pata një strehë mbi krye, isha i veshur, i ushqyer dhe i rrethuar me përkujdesje e megjithatë më i varfër me cilësi njerëzore e më i varfri i njerëzve. Për t’u bërë njeri në plot kuptimin e fjalës, nevojitet më shumë se shtëpia, veshja apo ushqimi: duhet dashuria. Njeriu ka nevojë për dashuri, dhembshuri dhe mirësi. Ka nevojë për njerëz të tjerë rreth vetes, për një familje që t’i vlejë si spirancë, si rrënjë në tokë dhe në shoqëri, që t’i mësojë të njohë vlerat e vërteta të botës”.

Harold Robins, “Mos dashuro kurrë një të huaj”

“Do të vijë se i pëlqej. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, por më zvarritën. Ai më do, edhe unë e dua. Do të vijë se kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë, ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgjë. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit…”

– Petro Marko, “Qyteti i fundit”