SHARE

“Shikoni sa i palumtur është njeriu bashkëkohor! Edhe pse është më i pasur se dje. Edhe pse është më i ditur se dje. Arsyet? Sepse, tashmë, ai nuk beson në asgjë: në asnjë vlerë dhe në asnjë autoritet.
Sepse tjetër është të jesh i dijshëm dhe tjetër të jesh i urtë. Harxhojmë miliarda për ekologjinë natyrore dhe na dhimbsen qindarkat për “ekologjinë shpirtërore”. Nuk njoh kohë më të mjerë, sesa ajo kur të vjen turp të përdorësh fjalën shpirt. Kësisoj, Apokalipsin po e gatuajmë me duart e veprat tona.”

“Zhurmat e reklamat nëpër panaire nuk dëshmojnë mbijetesën e Librit,
porse mjerimin e tij. (Si shkëlqimet e shpenzimet nëpër dasma – mjerimin e çiftit).
Leximi mbetet një akt vetjak e thellësisht intim – si një dashni e madhe dhe e fshehtë.”

“ …edhe nis e bëj hesapet me mend: sa minuta do më marrë ky libër me poezi, sa orë ai tjetri me tregime, sa ditë ky romani i hollë këtu, sa javë një tjetër më i trashë, sa muaj vepra e plotë e një autori – e Balzakut për shembull. Sa vite krejt Biblioteka? Edhe nis e më kap një trishtim i lehtë, kur mendoj se nuk do ta kem kohën e duhur për t’i lexuar gjithë ato libra. (Vonë, shumë më vonë, do mësoja të bëhesha përzgjedhës).”

-Ridvan Dibra-