SHARE

Atdheu u shit, ankandi u mbyll,

Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,

Miliona letra me vlerë votimi,

Tani do të bëhen thasë me para…

 

U vumë në radhë si mijra dele,

Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,

Dhe shpresën e re në mijra blegërima

E mblodhën Ata në vatha partish.

 

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,

Skllevër të lirë, me bukë e makina,

Për ankthin miliona tableta kimike

Nën bluzat firmato, zemra me vrima.

 

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur

Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,

Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje

Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.

 

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,

Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,

I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,

Po s’kam më fuqi, as për maraz.

 

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,

Me të cilën ata do qeshin me lot,

Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend

Poet i mirë, po mbeti idiot…”