SHARE

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë hidhur në udhëtim,
Por drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Je për mua ëndërr çast e orë,
Teoremë e turbullt dhe dilemë…
Po të jem vërtet një Pitagorë,
Ti je më e vështira teoremë…

– Dritëro Agolli