SHARE

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mes lajmeve të fitores dhe të vdekjes,
në burg
kur mosha ime ka kaluar të dyzetat…

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mbi një copë të kaltër harruar dora jote
dhe në flokët e tu
butësi e qëndrueshme e shpirtit tim
toka e Stambollit…
Si një njeri i dytë brenda meje
lumturia kur të dua ty…

Aroma e gjetheve të barbarozës
mbetur mbi majat e gishtërinjve të tu,
rehati e dielltë
dhe ftesa e mishit:
errësirë e ndarë me vijëza flakë të kuqe
e thellë
e nxehtë…

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty,
për ty të shkruash,
në burg të shtrihesh mbi shpinë të mendosh për ty:
filan ditë, filan fjalë që the në filan vend,
bota s’është më vetvetja…

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty.
Për ty duhet të gdhend sērish objekte druri:
një sirtar
një unazë,
dhe duhet të thur një mëndafsh të hollë tre metra,
dhe duke kërcyer menjëherë nga vendi
duke u ngjitur pas hekurave të dritares sime
kaltërsive qumështore të lirisë
duhet të lexoj me ulërimë çka kam shkruar për ty…

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mes lajmeve të fitores dhe të vdekjes
në burg
kur mosha ime ka kaluar të dyzetat…

Poezi të orës 21-22 (20 Shtator 1945)