SHARE

Nuk mund t’i themi të gjitha gjërat e fshehura kurrë.
Macja lot me një zog që ka mbytur,
Qeni kap me thonjtë e tij një kockë në gurë,
Andej zuzarë e djaj me ëngjëj përfytur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha gjërat e fshehura kurrë.

Nëse mund t’i themi të gjitha,
Na mbajnë mëri e na shajnë,
Vjen nata me ankth e mbushet shtrati me hithra,
Me hithra nervash që kruhen e hanë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

Për shembull, unë i mbaj rezervat e mia:
Ç’më duhet t’i them ato që s’i thonë as të tjerët?
Nuk dua të ketë aq trazira shtëpia,
Nuk dua të ngrihem me sy të mbufatur mëngjeseve herët,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha nga pika tek vija.

Nuk mund t’i themi të gjitha gjërat që thuhen,
Se brinjët e gjoksit ndërgjegjen e mbajnë burgosur
Dhe dhëmbët s’e lenë të dalë dhëmbëve gjuhën
Se dhëmbët janë hekura burgu mjaft të përsosur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha që duhen.

Do vijë dikush e do t’i thotë të gjitha.
Ai s’do të ketë as turp, as brinjë në gjoksin e fryrë,
As ka për t’u trembur nga shtrati i ndërgjegjes plot hithra,
S’do ketë as smalt në dhëmbë, as cipë, as fytyrë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

Maj, 1995