SHARE

Do të humbas, në s’të kam humbur,
Sa kohë dashuroj si shumë të tjerë.
Dhe kur ndjej mall për të të puthur,
“Puç! Puç”, germëzoj mbi tastierë.

Unë do të humbas, pak e nga pak,
Sa kohë ne rrimë kurriz në kurriz.
E poret kërkoj të t’i prek me “taç”,
Kur duhet që mbi lëkurë të lajthis.

Unë do të humbas ty, herët a vonë,
Sa kohë s’guxoj të të them:-Kthehu!
Pa e kuptuar u bëmë krejt si ikonë,
Herë të blerta, a herë ngjyrë dheu.

Unë do të humbas, në s’të humba,
Sa kohë që nuk jam më, si isha dje.
Ku fjalë s’të thosha dhe të mundja,
Po tani me germa, dërdëllit pa fre.

Unë do të humbas, se s’di të ruaj,
Sa kohë në shpinë rrimë si në mort.
Ndërsa në ekran sheh një të huaj,
Se i huaj po të bëhem unë. Sa kot!

Unë do të humbas, edhe si heshtje,
E ti sërish, ke për të më gjetur mua.
Kur u enda në germa, pika e presje,
Si nuk e dija që malli është grua!?

Sokrat Habilaj