SHARE

Shkruan: Marlin Muça

Ajo që nisi thjesht si një protestë e Fakultetit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë së Ndërtimit kundër tarifavë të padrejta në provime, sot është shndërruar në një lëvizje mbarëkombëtare, ku pakënaqësia e viteve të fundit u shpërfaq si kurrë më parë në protestë, bojkot, përcarje, përplasje, meme, gjueti shtrigash, frymë jakobine etj.

Reagimi i mijëra studentëve nuk mund t´i drejtohej kurrsesi një problematike të caktuar apo një shtylle të vetme të sistemit që ky pushtet ndërtoi gjatë një mandati e pak qeverisës. Studentët përbëjnë një shtrësë të përkohshme dhe tejet fluidë që mblidhet e shpërhapet në varësi të programeve të studimit dhe viteve që këto programe kërkojnë në plotësimin e tyre.

Çdo shqiptar ka qenë një herë student ose të paktën ka patur një të afërm student, një mik student, një partnere studente etj. Secili prej nesh është i lidhur në një mënyrë osë në një tjetër me botën universitare. Kjo simbiozë e studentëve me cdo kategori të shoqërisë ka bërë që jo vetëm qytetarët e thjeshtë të jenë të vetëdijshëm mbi hallet e shqetësimet e studentëve, por edhe studentët të jenë tërësisht në koherencë të problematikave shoqërore.

Përpos tarifave të kripura studentore, ne përballemi cdo ditë me taksat e larta, rrogat e ulta, pensionet mjerane, shërbimet mesjetare, shëndetësinë falas pse nuk vlen asnjë dyshkë etj etj. Kjo vetëdijësi mbi atë cka na rrethon na jep një status tjetër krahasuar më shtresat e tjera të shoqërisë shqiptare. Ne kemi luksin e mbështetjes nga të gjithë por edhe mallkimin e pritshmërivë të larta që të tjerët kanë ndaj shpërthimeve tona rinore.

Ne nuk mund të kënaqemi me plotësimin e 9 pikave sepse halli jonë nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur por rrodhi dalëngadalë e vit pas viti, si metastazë e një pushteti të kalbur që varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët. Ne nuk kemi luksin e të qënurit cinik me prindërit, vëllezërit e motrat tona. Solidariteti i tyre është shpresë mbarëkombëtare e një ndryshimi të madh që vetëm studentët si forca e vetme e papërlyer e më vitale të shoqërisë, janë të aftë e të gatshëm ta bëjnë kur piqën kushtet.

Nëse lëvizja e këtyrë dy javëve do të ishtë një kauzë e ngjashme me të tjerat, zgjidhja ose nuk do të vinte ose do të vinte dhe bashkë me zgjidhjen njerëzit do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kryeministri do t´i plotësonte kërkesat brenda 7 ditëve dhe të gjithë ne do t´i riktheheshim me padurim auditoreve.

Fakti që përgjigjja po vonon tregon së zgjidhja kërkon një ndryshim rrënjësor në modelin qeverisës dhe politikat arsimore që rrjedhin nga ky model e jo vetëm. Pra lëvizja jonë është politike pasi adresimi i saj do të sillte dhe padyshim që do të sjellë ndryshime të mëdha në sistemin e arsimit, terrenin politik, kulturën politke dhë gjithashtu një ridimensionim në marrëdhënien e politikës me qytetarin.

9 pikat janë leva e arkimedit që vuri një lëvizje fatalitetin shekullor të paaftësisë që arroganca ka për të ruajtur vetveten. Plotësimi i tyre do të shënjojë fundin e një tranzicioni politik të stërzgjatur dhe fillimin e një epoke real-demokracie dhe prosperiteti për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Autori është student në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.