SHARE

Nga Ayn Rand

(Fjalim para të diplomuarve të Akademisë Ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në West Point – më 6 mars 1974)
Meqë jam shkrimtare, më lejoni të filloj me një tregim të shkurtër. Paramendojeni sikur jeni astronaut në një anije hapësinore, e cila ka dalë nga kontrolli dhe është rrëzuar në një planet të panjohur. Pasi të keni ardhur në vete dhe të keni kuptuar se nuk jeni lënduar rëndë, tri pyetjet e para, të cilat do t’i keni në mend mend janë: Ku ndodhem? Si mund ta kuptoj? Çfarë duhet të bëj?

Përreth vetes do të shihnit vegjetacionin e panjohur dhe do të kishit ajër për të marrë frymë; drita e diellit do të ishte më e zbehtë se ajo çfarë e mbani mend dhe do të ishte më ftohtë. E ngreni kokën drejt qiellit, por përnjëherë ndaleni. Ju ka përshkuar një ndjenjë e papritur: në qoftë se nuk do të shikoni, nuk do të jeni të detyruar të kuptoni se ndoshta jeni tepër larg nga Toka dhe se kthimi nuk është i mundur; gjithnjë deri sa të mos e dini, do të mund të besoni në atë që doni – dhe do të keni përvojën e një shprese të paqartë, të këndshme, por disi të fajshme.
Ju ktheheni instrumenteve tuaja: ndoshta janë të prishur, por nuk e dini sa seriozisht. Por, ndaleni, të goditur nga një ndjenjë e befasishme frike: si mund t’u besoni atyre instrumenteve? Si mund të jeni të sigurt se nuk do t’ju tradhtojnë? Si mund ta dini se a do të punojnë në një botë të ndryshme? I lini anash instrumentet.

Tash filloni të pyeteni pse nuk keni dëshirë të bëni çfarëdoqoftë. Duke shumë më e sigurt që vetëm të prisni se si rrjedha e gjërave di të nisë disi; më mirë është, i thoni vetes, të mos e ngani anijen hapësinore. Në largësi shihni një lloj krijesash të gjalla të cilat ju afrohen; nuk e dini nëse bëhet fjalë për qenie njerëzore, por ecin në dy këmbë. Vendosni se ata do t’u thonë se çfarë të bëni.
Kurrë më nuk është dëgjuar zë prej jush.

Ky është vetëm një tregim do të thuani? Ju nuk do të vepronit kështu dhe nuk do të vepronte kështu asnjë astronaut? Ndoshta edhe jo. Por, kjo është mënyra në të cilën shumica e njerëzve, këtu në Tokë, i jetojnë jetët e tyre.

Shumica e njerëzve i kalojnë ditët e tyre duke u përpjekur t’u shmangen tri pyetjeve, përgjigjet në të cilat e përbëjnë themelin e çdo mendimi njerëzor, ndjenje e veprimi, qoftë të jetë i vetëdijshëm ai ose jo: Ku gjendem? Si mund ta kuptoj? Çka duhet të bëj?

Pasi të jenë rritur mjaft sa të mund t’i kuptojnë këto pyetje, njerëzit besojnë se menjëherë i dinë përgjigjet në to. Ku gjendem? Në Nju-Jork, të themi. Si mund ta zbuloj këtë? Kjo është mjaft e qartë. Çka duhet të bëj? Te kjo pyetje nuk janë aq të sigurtë – por përgjigja e rëndomtë është: atë që edhe të gjithë të tjerët. Duket se i vetmi problem qëndron në atë se nuk janë mjaft aktivë, nuk kanë vetëbesim dhe nuk janë tepër të lumtur – e kjo përvojë e tyre me kohë shkakton frikë dhe ndjenjë të pacaktuar të fajit, të cilat nuk mund t’i sqarojnë apo të lirohen prej tyre.

Ata kurrë nuk kanë zbuluar faktin se problemi vjen nga tri pyetjet, të cilat kanë mbetur pa përgjigje – dhe ekziston vetëm një shkencë e cila këto përgjigje mund t’i jep: filozofia.
Filozofia shqyrton natyrën fundamentale të ekzistencës, të njeriut dhe të marrëdhënies së njeriut ndaj ekzistencës. Përkundër shkencave të veçanta, të cilat merren vetëm me aspekte të caktuara, filozofia merret me ato aspekte të universit, të cilat kanë të bëjnë me gjithçka që ekziston. Në fushë të mendimit, shkenca të veçanta janë drunjtë, por filozofia është truall i plleshëm, i cili mundëson të krijohet pylli.

Filozofia, për shembull, nuk do t’ua thotë se a ndodheni në Nju-Jork apo në Zanzibar (ndonëse ua jep mjetet për ta zbuluarë këtë). Por, ja se çka do t’u thotë: a ndodheni në universin me të cilin qeverisin ligjet e natyrës e i cili, për këtë shkak, është stabil, i qëndrueshëm, absolut – dhe i njohshëm. Apo gjendeni në një kaos të pakuptueshëm, rajon të çudive të pashpjegueshme, të paparashikueshëm, me rrjedhë të panjohur, të cilin mendja juaj nuk mund ta kuptojë? A janë gjërat të cilat ju rrethojnë reale – apo janë vetëm iluzion? A ekzistojnë pavarësisht vëzhguesit – apo i krijon vëzhguesi? A janë objekt apo subjekt i vetëdijes njerëzore? A janë ato që janë – apo mund të ndryshojnë me veprimin e vetëdijes suaj, siç është dëshira?

Natyra e veprimeve tuaja – dhe e ambicieve tuaja – do të jetë e ndryshme, varësisht prej asaj se cilin grup të përgjigjeve e pranoni. Këto përgjigje janë fushë e e metafizikës – shqyrtimi i ekzistencës si të tillë, përkatësisht me fjalët e Aristotelit, “qenies si qenie” – degës themelore të filozofisë.

Pa marrë parasysh se në çfarë përfundimesh të keni arritur, do të ballafaqoheni me detyrimin që të përgjigjeni në pyetjen e tjetër, esenciale: Si mund ta kuptoj? Meqë njeriu nuk është qenie e gjithdijshme dhe e pagabueshme, duhet vetë të zbuloni se çfarë mund të konsideroni njohuri dhe si mund të dëshmoni së përfundimet tuaja janë ato të duhurat. A e arrin njeriu njohurinë me anë të procesit të arsyeshëm – apo me antë të zbulesës së papritur nga ndonjë forcë e mbinatyrshme? A është arsyeja aftësia e identifikimit dhe e bashkimit të materialit të fituar nëpërmjet shqisave të njeriut – apo është i pajisur me ide të lindura, të instaluara në mendjen njerëzore para lindjes së tij? A është i aftë ta vërejë realitetin apo njeriu posedon ndonjë aftësi tjetër kognitive, e cila është superiore ndaj arsyes? A mund ta arrijë njeriu sigurinë – apo është i gjykuar në dyshim të përhershëm?

Përmasat e vetëbesimit tuaj – dhe të suksesit ruaj – do të jenë të ndryshme, vraësisht prej asaj se cilin grup të përgjigjeve e pranoni. Këto përgjigje janë nëndegë të epistemologjisë, teorisë së njohjes, e cila shyqrton mjetet njohëse të njeriut.

Këto dy fusha përbëjnë bazën teorike të filozofisë. Fushën e tretë, etikën mund ta konsiderojmë teknologjinë e saj. Etika nuk zbatohet në tërë atë që ekziston, por vetëm në njeriun, por atë e zbatojmë në çdo aspekt të jetës së njeriut: karakterin e tij, veprimin e tij, vlarat e tij, në marrëdhnënien e tij nda tërësisë së ekzistencës. Etika apo morali, përkufizojnë kodeksin e vlerave të cilat i drejtojnë zgjedhjet dhe veprimet e njeriut – zgjedhjet dhe veprimet, të cilat e përcaktojnë drejtimin e jetës së tij.

Sikur që astronauti nga tregimi im nuk ka ditur se çfarë të bëjë, për shkak se ka refuzuar të kuptpjë se ku ndodhet dhe si do ta zbulojë këtë, njësoj edhe ju nuk mund të dini se çfarë duhet bërë deri sa të mos e mësoni natyrën e universit, pjesë e të cilit jeni, natyrën e mjeteve tuaja njohëse – dhe natyrën tuaj vetanake. Para se të arrini deri te etika, duhet të përgjigjeni në pyejtjet të cilat i shtrojnë metafizika e ontologjia: a është njeriu qenie e arsyeshme e aftë të merret me realitetin – apo është krijesë e verbër e luhatshme dhe e paaftë, një fije kashte mes vorbujsh? A janë sukseset dhe kenaqësitë e mundshme për njeriun tokësor – apo është i gjykuar në dështime e dëshpërime. Në varësi nga përgjigjet në këto pyetje, mund të vazhdoni t’i shqyrtoni pyetjet të cilat i shtron etika: Çka është mirë e çka keq për njeriun – dhe pse? A duhet njeriu ta ketë kujdes kryesor kërkimin për kënaqësitë – apo shmangia e vuajtjes? A i duhet njeriut vetërealizimim – apo vetëshkatërrimim – ta ketë qëllim të jetës së tij? A duhet njeriu të gjurmojë për vlerat e tij – apo duhet që interesat e njerëzve tjerë t’i vërë mbi të tijët? A duhet njeriu ta kërkojë lumturinë – apo për vetëflijimin?

Nuk ka nevojë t’i tregoj pasojat e ndryshme të cilat rrjedhin nga këto dy grupe përgjigjesh. Ato mund t’i shihni kudo – në ju e përreth jush.

Përgjigjet të cilat i jep etika përcaktojnë se si njeriu duhet ta trajtojë njeriu njeriun tjetër, e kjo e përcakton degën e katër të filozofisë: politikën, e cila përkufizon parimet e sistemit të duhur shoqeror. Si një shembull i funksionit filozofik, filozofia politike nuk do t’ua thotë se sa racione ushqimi duhet të merrni dhe cilën ditë të javës – ajo nuk do t’ua thotë se a ka shteti të drejtë t’u imponojë çfarëdo racioni të çkadoqoftë.

Dega e pesët dhe e fundit e filozofisë është estetika, studimi i artit, e cila bazohet në metafizikë, epistemologji e etikë. Arti merret me nevojat plotësuese të vetëdijes njerëzore.
Tash dikush prej jush mund të thotë, siç bëjnë shumë njerëz: “Po unë kurrë nuk kam menduar me nocione kaq abtsrakte – unë dëshiroj të merrem me gjëra konkrete, të veçanta reale të jetës – d.m.th. për të qenë të aftë të jetoni në Tokë.

Ju – si shumica e njerëzve – mund të thuani se filozofia në ju kurrë s’ka pasur kurrëfarë ndikimi. Do t’ju lus ta verifikoni këtë konstatim tuajin. A keni menduar ndonjëherë në ndonjërën prej këtyre fjalive? “Kurrë mos je kaq i sgurtë – askush nuk mund të jetë aq i sigurtë në cilën do gjë qoftë”. Këtë mendim e keni marrë nga Davi Hume (e shumë e shumë të tjerë), qoftë edhe sikur kurrë të mos keni dëgjuar për të. Apo: “Kjo ndoshta kështu është në teori, por nuk bën punë në praktikë”. Keni e keni marrë nga Platoni. Apo: “Kjo është punë e prapë, por njerëzore, në këtë botë askush nuk është i përkryer”. Këtë e keni marrë nga Augustini. Apo: “Kjo ndoshta është e vërtetë për ty, por jo edhe për mua”. Këtë e keni marrë nga Hegeli. Apo: “Nuk mund ta dëshmoj këtë, por ndjej se është e vërtetë”. Këtë e keni marrë nga Kanti. Apo: “Kjo është e keqe, sepse është egoiste”. Këtë e keni marrë nga Kanti. A keni dëgjuar kur aktivitstët modernë thonë: “Së pari vepro, pastaj mendo”? Këtë e kanë marrë nga John Dewey.

Disa ndoshta do të përgjigjen: “SIgurisht se tërë këto i kam thënë në raste të ndryshme, por nuk jam i detyruar të besoj në këto gjëra tërë kohën. Kjo ndoshta ka qenë e vërtetë dje, por nuk është e vërtetë sot”. Ketë e kanë marrë nga Hegeli. Ndoshta do të thonë: “Konsistenca është gogol i mendjeve të vogla”. Këtë e kanë marrë nga një mendje vërtet e vogël, Emersoni. Ndoshta do të thonë: “Por, a nuk mund të bëjmë kompromise dhe të huazojmë ide të ndryshme nga filozofë të ndryshëm në varësi nga nevojat e momentit?” Këtë e keni marrë nga Richard Nixoni – i cili këtë e ka marrë nga William Jamesi.

Tash pyeteni veten: nëse nuk ju interesojnë idetë abstrakte, pse (si edhe të gjithë të tjerët) ndjeheni të detyruar t’i përdorini? Puna është se idetë abstrakte janë integrime konceptuale që përfshijnë një numër të pallogaritshëm të gjërave konkrete – dhe se pa ide abstrakte nuk do të ishit në gjendje të merreni me problemet e veçanta, konkrete, reale jetësore. Do të ishit në pozitën e të posalindurit, për të cilin çdo objekt është unik, dukuri e pakrahasueshme. Dallimi ndërmjet gjendjes së tij mentale dhe tuajes qëndron në numrin e integrimeve koncrptuale të cilat i ka bërë mendja juaj.

Nuk keni zgjidhje në lidhje me detyrimin e integrimit të vështrimeve tuaja, përvojës suaj, dijes suaj në ide abstrakte, d.m.th. në parime. Zgjidhja juaj e vetme në këtë është se a do të jenë këto parime të vërteta apo të rreme, a do të paraqesin bindjet tuaja racionale, të vetëdijshme – apo shumën e koncepteve të nxjerra me hamendje, për prejardhjen, vlershmërinë e pasojat e të cilave nuk dini asgjë, koncepte të cilat, po t’i njihnit, më parë do t’i hidhnit si pataten e nxehtë.

Mirëpo, parimet të cilat (me apo pa vetëdije) i pranoni mund të jenë në konflikt të ndërsjellë ose kundërshti; dhe ato duhetë të integrohen. Kush i integron? Filozofia. Sistemi filozofik është pikëpamje mbi ekzistencën. Si qenie njerëzore, ju nuk keni zgjedhje për faktin se a u duhet filozofia. Zgjedhja juaj e vetme është se a do të përkufizoni filozofinë tuaj me anë të procesit të mendimit të vetëdijshëm, racional e të disiplinuar dhe shqyrtimit skrupuloz logjik – apo do të lejoni që e pavetëdijshmja juaj të akumulojë një grumbull sloganesh të pakapërdijshme, dëshirash të paartikuluara, dyshimesh e frikash, të hedhura rastësisht në një vend, por të unifikuara nga ana e të pavetëdijshmes suaj në një lloj filozofie gjysmake dhe të bashkuar në një barrë të vetme, solide: vetë-dyshimin, si një sferë e pranga në vendin ku flatrat e mendjes suaj duhet të rriten.

Mund të thuani, siç bëjnë shumë njerëz, se nuk është gjithmonë lehtë të veprosh në harmoni me parimet abstrakte. Por, sa vështirë është të veprohet me to pa i njohur ato?
E pavetëdijshmja juaj është si një kompjuter – shumë më i ndërlikuar nga çfarwdo kompjuteri qw mund ta bwjw njeriu – e funksioni themelor i saj është integrimi i ideve tuaja. Kush programon? Mendja juaj e vetëdijshme. Në qoftë se kjo mungon, nëse nuk arrini ndonjë bindje të qëndrueshme, e pavetëdijshmja juaj do të jetë e programuar nga rasti – e veten do t’ia lini fuqisë se ideve, të për të cilat nuk do të dini se i keni përvetësuar. Në një apo tjetër mënyrë, kopjuteri juaj, çdo ditë e çdo orë, u jep të dhëna dalëse në formë të ndjenjave të cilat i ndriçojnë gjërat rreth jush, duke i vlerësuar në harmoni me verat tuaja. Në qoftë se kompjuterin tuaj e keni programuar me të menduar të vetëdijshëm, atëherë natyra e vlerave tuaja dhe ndjenjave do të jetë e njohur. Nëse nuk e keni bërë, nuk do të jetë.

Shumë njerëz, sidomos sot, thonë se njerëzit nuk mund të jetojnë duke u drejtuar vetëm me anë të logjikës; se ekziston edhe elementi i ndjenjave në natyrën e tyre, dhe se ata mbështetën në udhëheqjen nga djenjat e tyre. Po, këtë e ka bërë edhe astronauti nga tregimi im. Ai – apo ata – i bartin pasojat: vlerat e njeriut dhe ndjenjat janë të përcaktuara nga pikëpamja e tij fundamentale mbi jetën. Programuesi suprem i të pavetëdijshmes së tij është filozofia – shkenca e cila, sipas emocionalistëve, është e paaftë të ndikojë apo të depërtojë deri te misteret e errëta të ndjenjave të tyre.

Cilësia e të dhënave dalëse të kompjuterit është e përcaktuar nga cilësia e të dhënave të tij hyrëse. Nëse e pavetëdijshmja juaj është e programuar nga rasti, edhe të dhënat e saj në dalje do të kenë karakter të njëjtë. Sigurisht se keni dëgjuar për termin elokuent të operatorëve të kompjuterëve “gigo” – që do të thotë: “Pleh hyn, pleh del”, Po kjo formulë i përgjigjet edhe përshkrimit të marrëdhënies së mendimit të njeriut dhe ndjenjave të tij.
Njeriu i cili udhëhiqet nga emocionet është si njeriu të cilin e drejton kompjuteri, të dhënat dalëse të të cilit nuk di t’i lexojë. Ai nuk e di se a është i programuar në mënyrë të vërtetë apo të rrejshme, të duhur apo të gabuar, a e çon ai grup të dhënash drejt suksesit apo shkatërrimit, a u shërben qëllimeve të tija apo ndonjë fuqie të keqe, të panjohur. Ai është i verbër në kuptim të dyfishtë: i verbër për botën e cila e rrethon dhe i verbër për botën e tij të brendshme, i paaftë të kuptojë realitetin apo motivet e vetes së vet, ndërsa ndodhet nën terrorin e përhershëm të të dy këtyre gjërave. Ndjenjat nuk janë vegla të mendimit. Njerëzve, të cilëve filozofia nuk u intereson, ajo u duhet edhe më shumë: ata janë edhe më të paafta nën pushtetin e tyre.

Atyre të cilëve filozofia nuk u intereson i përvetësojnë parimet e saj nga atmosfera kulturore e cila i rrethon – nga shkolla, kolegji, librat, revistat, gazetat, filmat, televizioni etj. Kush ia jep tonin kulturës? Një grusht njerëzish: filozofët. Të tjerët i pasojnë, qoftë nga bindja apo me inercion. Tash e nja dyqind vite, nën ndikimin e Immanuel Kantit, trendi dominues në filozofi ka qenë i drejtuar drejt një qëllimi të vetëm: shkatërrimi i mendjes njerëzore. Sot jemi dëshmitarë të kulmit të këtij trendi.

Kur njerëzit e lënë mënjanë arsyen, zbulojnë se ndjenjat nuk mund t’i kenë udhërrëfyes, por se nuk mund ndjejnë asnjë emocion pos njërit: terrorit. Përhapja e narkomanisë ndër të rinjtë është rezultat i modës së sotme intelektuale, shfaqjes së gjendjes së padurueshme të njerëzve të cilët janë të privuar nga aftësia e të menduarit dhe të cilët kërkojnë ikje nga realiteti – nga terrori i paaftësisë që të merren me jetën. Shikojini këta të rinj, të cilët ia kanë frikën pavarësisë dhe dëshirën e tyre fanatike për “përkatësinë”, dëshirën t’i bashkohen ndonjë grupi, sekti apo bande. Shumica prej thyre kurrë s’kanë dëgjuar për filozofinë, por ata ndjejnë se u nevojiten disa përgjigje fundamentale në pyetjet të cilat marrin guximin t’i shtrojnë – dhe shpresojnë se fisi do t’ua thotë se si të jetojnë. Ata janë të gatshëm t’i dorëzohen secilit mjek, guru apo diktator. Njëra prej gjërave më të këqija të cilat njeriu mund t’i bëjë eshtë që autonominë e tij morale t’ia dorëzojë në duar dikujt tjetër: si ai astronauti në tregimin tim, ai nuk e di se a janë qenie njerëzore, madje as se a ecin në dy këmbë.
Tash mund të pyetni: Nësë filozofia mund të jetë kaq e keqe, pse do ta mësonim. Sidomos, pse njeriu duhet t’i mësojë teoritë filozofike të cilat janë qartas të gabueshme, të pakuptimta dhe pa ndonjë lidhje me jetën e vërtetë?

Përgjigja ime është: Për vetëmbrojtje – për të mbrojtur të vërtetën, të drejtën, lirinë apo cilat do vlera të cilat i keni pasur ndonjëherë apo mund t’i keni.
Nuk kanë qenë të gjithë filozofët e këqij, ndonëse shumë prej tyre po, sidomos në historinë moderne. Nga ana tjetër, në themel të secilës së arritur të civilizimit, siç janë shkenca, teknologjia, përparimi, liria – në themel të secilës vlerë të cilën e gëzojmë sot, duke përfshirë edhe krijimin e këtij vendi – do të gjeni emrin e një njeriu, i cili ka jetuar para më se dy mijë vitesh: Aristotelit.

Nëse nuk ndjeni gjë tjetër pos mërzisë deri sa lexoni teori krejtësisht të pakuptueshme të disa filozofëve, kemi simpatitë e mija më të thella. Por, nëse i shtyni anash, duke thënë “Pse ta shqyrtoj këtë gjë kur e di se është fjala për marrëzi” – do të gaboni. Kjo është marrëzi, por ju nuk e dini atë – jo, gjithnjë deri sa të mos i përvetësoni përfundimet e saj, me të gjitha kurthet të cilat i kanë shpikur ata filozofë. Dhe jo për aq kohë sa do do jeni të paaftë t’i përgënjeshtroni ato.

Kjo marrëzi ka lidhje me çështjen më esenciale, çështjen e jetës apo vdekjes së ekzistencës njerëzore. Në rrënjë të çdo teorie të rëndësishme filozofike qëndron një çëshjte legjitime – në kuptimin se ekziston nevoja autentike e vetëdijes njerëzore, të cilën disa teori përpiqen ta sqarojnë e disa të tjera ta errësojnë, shtrembërojnë, që përgjithmonë ta mbrojnë njeriun nga zbulimi i saj. Beteja filozofike është betejë për mendjen njerëzore. Nëse nuk i kuptoni teoritë e tyre, do të jeni i lënduari më së keqi në mesin e tyre.

Mënyra më e mirë për t’iu qasur filozofisë është t’i qaseni siç u qaseni tregimeve të detektivëve: ndiqeni secilën gjurmë, indicie dhe implikim për të zbuluar se cili është vrasësi e cili heroi. Kriter i njohjes janë dy pyetjes: Pse? dhe Si? Në qoftë se parimi i dhënë duket i vërtetë – pse? Nëse parimi i dytë duket i rrejshëm – pse? dhe si është imponuar ai? Nuk do t’i gjeni menjëherë përgjigjet në të gjitha, por do të arrini një veti të paçmueshme: të mendoni në nocionet e esencës së gjërave.

Asgjë njeriut nuk i është dhënë vetvetiu, as dija, as vetëbesimi, as qetësia e brendshme, e as mënyra e duhur e përdorimit të mendjes. Secila vlerë apo nevojë të cilën ai e ka duhet të zbulohet, të mësohet apo të përvetësohet – madje edhe mbajtja drejt e trupit të tij. Në këtë kontekst, dua të them se gjithmonë i jam mahnitur qëndrimit të të diplomuarve të West Pointit, qëndrim i cili paraqet njeriun krenar, njeriun i cili e kontrollon trupin e tij. Po edhe trajnimi filozofik i jep njeriut qëndrim të drejt intelektual – kontrollin krenar, të disiplinuar të mendjes.

Në profesionin tuaj, në shkencën ushtarake, u është e njohur rëndësia e përcjelljes së zhvillimit të armatimit të armikut, strategjisë e taktikës – dhe rëndësia e përgatitjes së kthimit të goditjes. E njëjta gjë vlen edhe për filozofinë: duhet t’i kuptoni idetë e armikut, duhet t’i njihni argumentet e tij themelore dhe të jeni të gatshëm t’ia ktheni ashpërsisht.

Në luftën e vërtetë nuk do t’i dërgoni njerëzit tuaj në një fushë të minuar: do të ndërmerrni çdo përpjekje që të zbuloni lokacionin e tij. Epo, sistemi i Kantit paraqet fushëm më të madhe të minuar në historinë e filozofisë – për ai është aq bosh sa pasi ta keni kuptuar njëherë marifetin e tij, mund ta hidhni poshte pa kurrëafrë problemi dhe që plotësisht të sigurt ta kaloni për së gjati e për së gjeri. Nëse njëherë do ta dëboni, pasuesit e Kantit – rangu më i ulët i ushtrisë së tij, rreshterët e filozofisë, ushtarët e rëndomtë dhe mercenarët e sotshëm – në një reaksion zingjiror do të gjenden në vakuum.

Ka një arsye të veçantë shkaku i së cilës ju, prijësit e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, duhet që sot të armatoseni me filozofi. Ju jeni cak i luftës speciale të establishmentit kolektivist kantian-hegelian, i cili sot qeveris me institucionet tona kulturore. Ju jeni ushtria e vendit të fundit gjysmë-të lirë të mbetur sot në këtë planet, ndonëse ju akuzojnë se jeni armë e imperializmit – kurse “imperializmi” është emri i cili i vëhet politikës së jashtme të këtij vendi, i cili kurrë nuk është angazhuar në konflikt ushtarak pushtues dhe kurrë nuk ka përfituar nga dy luftat botërore, e cila nuk i ka shkaktuar ato, por ka hyrë në to dhe ka fituar. (Ka qenë kjo, fatkeqësisht, pasojë e politikës tepër shpirtmadhe të këtij vendi, i cili ka shpenzuar pasurinë e tij duke u ndihmuar aleatëve të tij dhe armiqve të dikurshëm.) Ajo që quhet “kompleks ushtarak-industrial” – që paraqet një mit apo edhe më keq – e akuzojnë për të gjitha telashet e këtij vendi. Huliganët e mallkuar të fakulteteve klithin duke akuzuar njësitë R.O.T.C (Reserve Officers’ Training Corps) për shkatërrimin e kampuseve të studentëve. Buxhetin tonë për mbrojtje e sulmojnë, e përçmojnë dhe shkurtojnë njerëzit të cilët thotë se prioritet financiar duhet të jenë kopshtet ekologjike të trëndafileve dhe investimet në pamjen estetike të lagjeve të varfra.

Disa prej jush ndoshta do të jenë të hutuar nga kjo fushatë dhe ndoshta, me qëllim të mirë, do të pyeten se çka keni gabuar ju në lidhje me këtë. Ju ju sulmojnë jo për shkak të ndonjë gabimi apo dëmi, por për shkak të forcës dhe profesionalizmit tuaj. Ju ju dënojnë për shkak se mbroni Shtetet e Bashkuara. Në një nivel më të ulët të po këtij problemi një lloj i ngjashëm fushate bëhet kundër forcave të rendit e të ligjit. Ata të cilët dëshirojnë ta shkatërrojnë këtë vend, kërkojnë mënyrë ta çarmatosin – intelektualisht e fizikisht. Po, kjo nuk është thjesht çështje politike; politika nuk është shkak, por konsekuenca e fundit e ideve filozofike. Nuk është ky një komplot komunist, ndonëse në të mund të jenë të përfshirë edhe ndonjë komunist – sa është për fillimin e një fatkeqësie të ardhshme që ata nuk mund të prodhojnë drejtpërdrejt. Motivi i këtyre destruktorëve nuk është dashuri për komunizmin, por urrejtja për Amerikën. Pse e urrejnë? Sepse Amerika përfaqëson vrasjen vicioze të universit Kantian.

Sot ndjeshmëria e tepruar dhe dhemshuria për të uriturit, të dëmtuarit dhe ata që vuajnë, kriminelët, paraqet mbulesë për urrejtjen kantiane për të pafajshmit, të fortët, të aftët, të suksesshmit, të virtytshmit, ata me vetëbesim, të lumturit. Filozofia e cila dëshiron ta zhdukë mendjen njerëzore është detyrimisht filozofi e cila e urren njeriun, jetën njerëzore dhe çdo vlerë njerëzore. Urrejtja ndaj të mirës për shkak se është e mirë është shenjë dalluese e shekullit të njëzet. Ky është armiku me të cilin ballafaqoheni.

Beteja e këtij lloji kërkon armë të veçantë. Ajo duhet të zhvillohet duke kuptuar plotësisht shkaqet e saj, me besim të plotë në vetëveten dhe sigurinë e plotë në moralin e duhur të të dyjave. Vetëm filozofia mund t’iu furnozojë me këto armë.

Detyra të cilën ia kam vënë vetes sonte nuk është që t’ua shes filozofinë time, por filozofinë si të tillë. Mirëpo, gjithsesi në secilën fjali në mënyrë implicite u kam folur për filozofinë time – meqë askush prej nesh dhe asnjë qëndrim nuk mund t’u shmanget premisave filozofike. Cili është interesi im egoist në këtë gjë? Jam mjaft e bindur që të mendoj se, nëse e pranoni rëndësinë e filozofisë dhe detyrën e shqyrtimit të saj kritik, filozofia ime do të jetë ajo të cilën do ta pranoni. Unë formalisht e quaj “objektivizëm”, ndërsa joformalish filozofi të të jetuarit në Tokë. Formulimin e saj eksplicit mund ta gjeni në librat e mija, sidomos në librin Atlasi ngre supet.

Më lejoni që në fund t’u drejtohem me ton personal. Kjo mbëmje më bën një nder të madh. Ndjej se jam thellësisht e nderuar me mundësinë që t’u drejtohem. Mund të them – jo si frazë e zbrazët, por me vetëdije të plotë mbi bazat metafizike, epistemologjike, etike, politike e etike të kësaj deklarate – se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti më i madh, më fisnik dhe, për nga parimet e saj burimore, i vetmi shtet moral në historinë botërore. Në vetëdijen time ekziston një lloj rrezatimi i qetë të cilin e ndërlidhi me West Pointin – për shkak se ju i keni ruajtur parimet burimore themeluese dhe sepse ju jeni simbol i tyre. Ka kundërthënie dhe lëshime në këto parime, e ndoshta edhe tuajat – siç ekzistojnë në çdo institucion – por unë po flas për esencën. Ndoshta ka individë në historinë tuaj të cilët nuk janë ngritur deri tek standardet tuaja më të larta – sikundër që ka në secilin institucion – meqë asnjë institucion e asnjë sistem nuk mund të garantojnë me automatizëm persosmërinë e secilit anëtar të tij; kjo varet nga vullneti i lirë i secilit individ. Po flas për standardet tuaja. Ju i keni ruajtur tri veti të karakterit, të cilat kanë qenë tipike në kohën e krijimit të Amerikës, por që sot janë praktikisht të paekzistueshme: sinqeritetin – përkushtimin – ndjenjën e nderit. Nderi është vetërespekti i cili dëshmohet në veprim.

Ju keni zgjedhur t’i rrezikoni jetët tuaja për të mbrojtur këtë vend. Nuk dua t’ju lëndoj duke thënë se i jeni përkushtuar një shërbimi vetëmohues – kjo nuk paraqet virtyt në moralin tim. Në moralin tim, mbrojtja e vendit tënd do të thotë se personalisht nuk dëshironi të jetoni si rob i cilit do qoftë armik, të huaj apo vendor. Kjo paraqet virtyt të jashtëzakonshëm. Disa prej jush ndoshta nuk janë mjaft të vetëdijshëm. Unë dua t’ju ndihmoj që ta arrini këtë vetëdije.

Ushtria e një vendi të lirë ka mbi vete një përgjegjësi të madhe: të drejtën të përdorë forcën, por jo si instrument detyrimi dhe pushtimi brutal – siç kanë bërë ushtritë e vendeve tjera në historinë e tyre – por si instrument i vetëmbrojtjes së një vendi të lirë, që do të thotë: mbrojtja e të drejtave individuale. Parimi i përdorimit të forcës vetëm me qëllim të hakmarrjes ndaj atyre të cilët e zbatojnë është parimi i hakmarrjes ndaj atyre që e përdorin është parim që forca t’i nënshtrohet drejtësisë. Për një detyrë të tillë nevojitet integriteti më i lartë i personalitetit dhe ndjenja e nderit. Asnjë ushtri në botë, pos jush, këtë nuk e ka arritur. Ju po.

West Point i ka dhënë Amerikës një plejadë të tërë heronjsh. Ju, të diplomuarit e sivjetshëm, keni prapa vetes traditën e lavdishme të cilën duhet ta vazhdoni – të cilën e admiroj thellësisht, jo për shkak se është traditë, por për shkak se është e lavdishme.
Meqë vi nga vendi i cili është përgjegjës për tiraninë më të keqe e cila është shfaqur në Tokë, jam vëçanërisht e kualifikuar për ta vlerësuar rëndësinë e saj, madhësinë dhe vlerën më të lartë të asaj që mbroni. Prandaj, në emrin tim dhe në emër të shumë njerëzve të cilët mendojnë njësoj si unë, dëshiroj që të gjithë njerëzve të West Pointit, atyre nga e kaluara, të sotmëve dhe të ardhshmëve, t’ju them: Faleminderit!”

Përktheu: Dush Gashi