SHARE

Të gjithë e njihni besoj letrën e famshme të lamtumirës, që thuhet se e ka shkruar Markezi.

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë….

Çështja është se nuk e ka shkruar Markezi.

Në vijim të temës mbi autorësitë e rreme të krijimeve tashmë të njohura, sot vendosa t’ju sjell një tjetër rast. Më vjen keq për të gjitha ata që prej vitesh i ndajnë këto vargje me emrin e Markezit, pasi do të zhgënjehen.

Në verën e vitit 1999 dolën lajmet e para për gjendjen e rënduar shëndetësore të Markezit. Këta zëra duket sikur u konfirmuan kur në maj të vitit 2000, në të përditshmen peruviane “La Republica” u botua një poezi me titullin “La Marioneta”, që i atribuohej shkrimtarit të njohur. Poezia u trajtua si një letër lamtumire, që shkrimtari ua kishte dërguar miqve të tij më të mirë.

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit, duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndërr të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës…

…Kam mësuar kaq shumë nga ju
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur të më vendosin
brenda asaj valixheje,

fatkeqësisht do të jem i vdekur.

Poezia nisi të shpërndahej me shpejtësi dhe të botohej në shtypin e të gjitha vendeve të Amerikës Latine, madje të lexohej edhe në radio.

Pas vdekjes së Markezit në prill të 2014-s, poezia bëri xhiron e rrjetit.

Autori i vërtetë i “Kukulla prej lecke” quhet Johnny Welch, i cili nuk e fshehu zhgënjimin.  “Unë e di se nuk jam një shkrimtar i talentuar, por është dëshpëruese mos të të japin meritat për diçka që e ke shkruar vetë”, – u shpreh ai për mediat meksikane.

Welch nuk ishte i vetmi i zhgënjyer. Vetë Markezi në fillim të viteve 2000 u shpreh:

“Çfarë më vret në të vërtetë është turpi që disa njerëz besojnë vërtet se unë mund të shkruaja diçka kaq vulgare”.

Në fakt, nuk janë thjesht disa njerëz. Tashmë pjesa është lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Markezit./botimeshqip

Përgatiti: Elona Qose