SHARE

Nga Rebecca Solnit

Shpresa është një dhuratë, një pushtet që nuk mund dhe nuk duhet ta flakësh tutje. Shpresa mund të jetë një akt mosbindjeje, por mosbindja nuk është arsye e mjaftueshme për të shpresuar. Ka, megjithatë, arsye të tjera…

Kjo është koha e ndryshimeve të mëdha. Por është gjithashtu një makth…

Shpresë nuk do të thotë ta mohosh këtë realitet. Shpresë do të thotë të përballesh me të dhe në të njëjtën kohë të kujtohesh se çfarë ka sjellë tjetër ky shekull, përfshirë lëvizjet, heronjtë që identifikohen me to tani.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë nuk është shpresa: nuk është një besim i verbër se gjithçka ishte, është dhe do të jetë mirë. Realiteti rreth nesh tregon të kundërtën; vuajtje dhe shkatërrim. Shpresa për të cilën jam e interesuar është ajo që na kërkon të veprojmë.

Shpresë do të thotë të përqafosh të panjohurën, të paqartën, një alternativë për optimistët dhe pesimistët bashkë. Optimistët mendojnë se gjithçka do të bëhet mirë edhe pa përfshirjen e tyre.

Pesimistët mendojnë se asgjë nuk do të rregullohet, ndaj nuk vlen përfshirja e tyre; të dyja kategoritë justifikojnë mosveprimin e tyre.

Por veprimet tona vlejnë, edhe nëse nuk e dimë këtë në moment, nuk ka rëndësi se për kë vlejnë. Historia është plot me shembuj njerëzish, ndikimi i të cilëve ka qenë më i fuqishëm pasi janë ndarë nga jeta.

Ide që fillimisht duket si qesharake me kalimin e kohën bëhen çfarë njerëzit mendojnë se kanë besuar gjithmonë. Se si ndodhi ky ndryshim pak kujtohen, sepse pjesërisht është një lloj kompromisi dhe në të njëjtën kohë na kujton se shpresa jonë shtrihet në hije. Por është gjithmonë aty. Sepse shpresa është pushtet./botimeshqip

Përktheu: Elona Qose