SHARE

Dua të të dua prapë, po s’mundem!
Ti je kthyer e gjitha në një tjetër!
Nëpër hone humnerash do pranoj të puthem,
Por jo më me ty, macja ime e egër!

Dhe nëse rrëzohem, vetë do të ngrihem,
S’i lutem askujt, ty aq më tepër!
Varka ime ecën, drejt deteve më shpie,
Por jo më me ty, macja ime e egër!

Unë edhe mund të mbytem,
Atje, në ata dete,
Mund të ndodhë sot,
Mund të ndodhë nesër!
Do të jem pastaj një dallgë më vete,
Por jo më me ty, macja ime e egër!

Do të t’i marr ditët që jetuam bashkë,
Do t’i fsheh që kurrë, mos t’i gjejë një tjetër!
Por në dashuri nëse bie prapë,
Veç me ty do te bie, macja ime e egër!

Skënder Rusi