SHARE

22 vjet
Sa pak dhe sa shumë
Sa pak për të njohur kaq shumë dhembje,
Sa shumë për të bërë kaq pak në jetë.

22 vjet mund të ishin
Vite pasioni, kënge, rinie
Mund të ishin vite librash e kërkimesh,
Ngarkesa ëndrrash e poezie.
Shumë gjëra mund të ishin
Po mbyllur në guackë si kërmilli
22 vjet si t’i zvarrisësh?

Si t’i durosh për tërë këta vjet
Buzë hekurash, të shkurtrat takime,
Minutat që ikin aq shpejt, aq shpejt,
Ndarjen, mallin dhe dhembjen,
Që të rëndojnë mbi shpinë.

Si të ecësh kaq pranë vdekjes,
Ta zhveshësh veten nga më e thjeshta ëndërr
Dhe të studiosh qetësisht në bibliotekë
Literaturë që flet për vdekjen tënde.
Ta prekësh vdekjen rastësisht
Një mëngjes pas gjumit,
Strukur rrëzë kofshës në një gjëndër.

Në sipërfaqe asgjë e veçantë nuk duket,
Në sy pranvera vend ka zënë.
Ndodh që rrugës qesh me fëmijë të bukur
Dhe e di që kurrë s’do bëhesh nënë.

Dhe të gjitha janë krejt të zakonshme,
Nën këmbë toka, lart qielli dhe re,
në mars sythet çelin dhe stinët ndërrohen.
Kot të ankohesh
Klith po deshe pa fund: “Përse?!”

Kot të gjitha… Po jetën e dua shumë
Dhe shpesh gëzohem ashtu kot, pa ditur,
Gëzohem që dua dhe që më duan,
Për një copë diell, për diçka të bukur.

Mars 1980

– Marrë nga “Dritë që vjen nga humnera”