SHARE

Po të mos kishe ekzistuar më parë,
Unë do të të krijoja vet patjetër.
Shpesh kam bërë plane si i marrë,
Duke të skicuar portretin në letër.

Do të merrja borxh pjesë nga hëna,
Një pasqyrë burimi ku krihet ylli.
Një pikëz vese ku freskohet ëndrra,
Një cicërimë zogu që del nga pylli.

Dy kokrra ullinj që ndrijnë nën fletë,
Thëngjij që digjen me gjuhë flake.
Çfarë s’do të merrja të të krijoja vet,
Nuk mundet ta lija botën gjysmake.

Do të ulesha të shihja ndanë udhës,
Nurin e borxheve, shkrirë të tëra.
Pastaj do të puthja në cepin e buzës,
Dhe do të ikja të krijoj të tjera gjëra.

Ti del para meje, tej pas çdo kthese,
Bota u krijua, më thua ti djallëzisht.
Nëse guxon, të bësh sytë e një tjetre,
Humbas në çast, të më bësh sërisht.

Sokrat Habilaj