SHARE

Eja, mike, tok të rrimë,
Hidhmi sytë drejt në sy!
Dua të dëgjoj stuhinë,
Duke të vështruar ty.

Këtë ar vjeshtor në flokë,
Perëndia ma dha vetë.
Mbase si shpëtim për kokën,
Meqë jam çapkën vërtet.

Fushat, prozhmet plot me fletë,
I braktisa, veç të vi.
Të harrohem mes qytetit,
Dhe të hidhurës lavdi.

Mendjen ta largoj prej kohës,
Kur nën vlugun pranveror,
Dhe nën këngët e bretkocës,
Unë u rrita vjershëtor.

Te dritaret, panja e blire,
Zgjasin degët n’atë vend.
Dhe kërkojnë n’errësirë,
Gjithë ç’sjellin nëpër mend.

Ata s’janë më në botë;
Mbi varrezë, hënë e zbehtë.
Ndrrin edhe “Ky kënd”,-na thotë,
Për nga mot dhe ju, ju pret.

Që të dergjeni pa halle,
Në qetësi e n’amëshim…
Vetëm rruga gjithë dallgë,
Kujt jeton i fal gëzim.

Ndaj afrohu, tok të rrimë,
Të vështrohemi në sy!
Dua të dëgjoj stuhinë,
Duke të shtrënguar ty!

Sergej Aleksandrovic Esenin