SHARE

Ta dish se malli për ty më ka pikur,
Por as rastësisht, mos më dil më para.
Më mirë të mbetesh kështu, e ikur,
Sesa të shoh çfarë moshe ka ndarja.

Më mirë mos u shfaq, je grua e huaj,
Sepse ti më fsheh një imazh të vjetër.
Nuk jam aq i lig që me ty të luaj,
Duke parë ty, të mendoj një tjetër.

Më mirë një kube dheu, mbi vete,
Se sa të shoh si plaket edhe malli.
Më mirë një fund që vjen si vdekje,
Sesa ca ëndrra, varrosur së gjalli.

Më mirë të jesh, si të kam në mendje,
Se sa të shoh, ndoshta ty të thinjur.
Më mirë humbur, në harresën tënde,
Edhe pse për ty malli më ka pikur.

Sokrat Habilaj