SHARE

Dil

Kur s`i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes,
Po tjetërkush për ty ngujohet.

Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën
të lashtat mure Jerikosë.

Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë,
ngujuar brenda vetes rri.

Dil sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh, përkthehet të luftosh!

Pezull 

Ka muaj që duart s`më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s`e di se nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.

Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjalë uloke…dhe…sot ashtu…si…dje;
aq sa je gati me grusht t’i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.

Mungesa e vetmisë më ka munduar
tani i vetem ndihem si në morg;
në se pershesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.

Ngre kurthe ditë-nata; dimër-vera
shtrigon, mpreh thikat; ç`besëlidhje e zeze!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë…

 

NË PYJE VJESHTA NDEZI ZJARRE

Në pyje vjeshta ndezi zjarre…
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.

Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë.