SHARE

Ik në rrugë pa kthim,
Nëse mendon se jeta të zhgënjehu
Nëse mendon se njerëzit të gënjyen
Mbushi një gotë vetes…
Dhe ngadalë rrëfehu!

Ngrite një dolli, për vete!
Për njerëzit që në krah kishe.
Ngrite një dolli,
Për ëndrrat e fundosura,
Për njeriun që dikur ishe.

Dhe pastaj mbush një tjetër…
Dhe një tjetër… edhe një tjetër
Dhe fillo ta kërkosh veten,
Atë që ishe dikur,
Veten tënde të vjetër!

Rri me të…
Qesh me të…
Ose thjesht rri, mos bëj zë.
Veç shikoje si ke qenë,
E si je bërë tashmë!

Shiko si ke qenë dikur,
Si fëmijë, si je rritur!
Sa herë n’këtë jetë je rrëzuar,
Përsëri në këmbë je ngritur…
Po tani, pse je mërzitur?

Sepse njerëzit të tradhëtuan?
Sepse të thanë që të duan,
E pas shpine ta punuan?
Apo vallë sepse t’gënjyen,
Të mashtruan, të shfrytëzuan?

Epo, në djall që të gjithë!
Ti prapë mik e ke vetveten,
Që të bën ta jetosh jetën,
Që s’të lë asnjëherë vetëm,
E të fal një ëndërr tjetër!

Prandaj sot, ti mbush një gotë…
Dhe një tjetër… edhe një tjetër
Harro gjithçka që kishe,
Harro kohën e kaluar,
Veten tënde të vjetër.

Sot mbush një gotë,
Dhe ngrej dolli për vete.
Për një fillim të ri.
Bëj gati valigjet,
Edhe nisu ti.

Shko në një vend ku s’ke qenë kurrë,
Diku ku se njeh askë,
Aty ku s’të njeh askush.
Ulu në një skaj,
Dhe gotën përsëri mbush.

Ngre dolli për vete,
Për një fillim të ri.
Harro jetën e jetuar,
Krijo një fole të re,
Në një tjetër vend ti!

Por përkohësisht, jo përherë,
Se n’këtë jetë më rehati s’gjen,
Ti që njohe veç zhgënjim.
Do mbetesh përherë shtegtar,
Përherë në rrugë pa kthim…

Ardijan Thaqi