SHARE

– AJO PËRKULET MBI MUA

Ajo përkulet mbi mua
Me zemrën e pastërvitur,
Që të shohë nëse e dua
Dhe humb plot besim në ëndrra.
Dhe nën retë e vockla të vetullave
Koka e saj dremit në pëllëmbët e mia.
Ku jemi vallë tani, ku jemi?
Jemi një e tërë e pandarë,
Të gjallë, të gjallë,
E gjallë, i gjallë.
Dhe koka ime rrëkëllehet në ëndrrat e saj.

– SYTË E TU

Sytë e tu – unazë e zemrës sime,
Rreth saj si valle e kënduar hidhen,
Përkunden si djepi netve,
Në ta kurora e kohës shkëlqen.
Kur sytë e tu s’më panë,
Harrova vitet.

Të gjitha janë në jetë:
Myshku mbuluar me vesë dhe fletë,
Kallami i hollë dhe fjalët e tua,
Krahët dhe rrezet e që botës dritën ia sjellin,
Anijet me qillein dhe detin ngarkuar,
Burimet plot fëshfërima dhe ngjyrat që çelin.

Një kloçkë e tërë agimesh zogjtë nxori në jetë
Dhe prehet në furrikun e Kashtës së Kumtrit.
E dini se dita s’jeton dot pa dritën,
Dhe unë s’jetoj pa sytë e pastër si erë,
Gjaku im – në vështrimet e tua tani dhe ngaherë.

NDOFTA ASKUSH NË BOTË

Ndofta askush në botë s’më njeh
Më mirë se ti

Brenda syve të tu më zë gjumi
Së bashku me ty.
Ata më dhanë dritën njerëzore,
Që nata të dridhet nga smira.

Brenda syve të tu udhëtojmë;
Ata i çliruan lëvizjet e rrugëve
Nga forca tërheqëse e tokës.

Kush dëshiron të gjejë në sytë e tu
Vetminë tonë pa fund,
Atë vetmia e mund.

Ndofta askush në botë s’të njeh
Më mirë se unë.