SHARE

“Të dashuroj, Izabelë! Të dashuroj më shumë nga ç’e kam ditur! Është si një erë që ngrihet, ndërsa ti pandeh se është vetëm një fllad i lehtë…, por, papritmas, zemra të shkundet e të tundet nën furinë e asaj ere, si një kullotë në shtrëngtë… Të dashuroj, o zemër e zemrës sime, e vetmja qetësi në gjithë këtë rrokopujë e zallamahi! Të dashuroj ty, që dëgjon kur një lule ka etje edhe kur koha është e rraskapitur si një zagar gjahu në mbrëmje! Të dashuroj dhe kjo ndjenjë shpërthen nga brendia ime si një portë e shkalafitur, pas së cilës shtrihet një kopsht i panjohur!… Ende s’jam në gjendje ta kuptoj tërësisht këtë ndjenjë, dhe po habitem edhe vetë, dhe më vjen pak turp nga fjalët e mia të mëdha…, por ja që ato po më dalin rrëmbimthi nga thellësia e shpirtit pa më pyetur fare… Dikush, që nuk e njoh, po më flet nga brendia ime, dhe unë s’jam i qartë nëse është zëri i një melodramatiku të rëndomtë, apo në është vetë zemra ime që s’ka frikë.”

“Paraja është vetëm një iluzion, të gjithë e dinë këtë e, megjithatë, ka plot njerëz që ende s’duan ta besojnë. Edhe, përsa kohë që është kështu, inflacioni do të vazhdojë deri sa të arrihet hiçi absolut. Njeriu jeton shtatëdhjetë e pesë përqind me fantazinë e vet dhe vetëm njëzet e pesë përqind me fakte… Kjo është forca dhe zotësia e tij, dhe prandaj kjo valle shtrigash që hedhin shifrat, gjen ende njerëz që fitojnë dhe njerëz që humbasin. Ne e dimë që s’mund të jemi ndër ata që fitojnë me çdo kusht, por s’na ka qejfi të jemi ndër ata që humbasin.”

Unë shtrëngoj pakon e librave nën sqetull. Zhytu ne jete!- i them vetes. Rroftë dashuria tokësore! Poshtë ëndërimet! Larg fantazmave!… Për ngushellimin e shpirtit tim me mbetet Platoni!

“…– Po si mund të pihet hëna, Izabelë?
– Brenda në ujë. Është shumë e thjeshtë. Ajo shijon si opal. Nuk e ndien fare në gojë, vetëm më vonë e kupton se si nis e vezullon brenda teje, për t’u rrezatuar pastaj jashtë syve të tu. Vetës se s’duhet të ndezësh kurrsesi dritën, në dritë ajo venitet”.

“Ne vazhdimisht harrojmë që jemi vetëm disa banorë shumë të përkohshëm të këtij planeti, – ia bëj unë, – Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që kemi një kompleks bote krejt të gabuar. Kompleksin e njerëzve që jetojnë përjetësisht. A e ke vënë re këtë?”

“E dua këtë park, sepse është i qetë dhe sepse këtu s’jam i detyruar të flas me asnjëri për luftë, politikë dhe inflacion. Aty mund të prehem rehat dhe të merrem me të tilla gjëra të dala mode, si përshembull, të përgjoj shushurimën e erës, të kënaqem me cicërimat e zogjve dhe të sodis dritën e diellit që derdhet përmes blerimit të zbërthulët të kurorave të pemëve.”

Erich Maria Remarque – “Obelisku i Zi”