SHARE

Sa fjalë të ëmbla më thoshe,
Kur përkëdheleshim të dy.
Dhe me syçkat bukuroshe,
Më bëje të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte,
Që të besoja se ti më do.
Si hëna që rrezet më shihte,
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç atëhere kuptova,
Se je zemer plot mëshire.
Dhe veten time e ngroha,
Kur më puthe me dëshirë…

“Dashuro”

Shiko lisi si më flet,
Fjalë t’ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret
Dashuro, se koha shkon!

Maj’ e plepit gjithënje,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Er’ e malit me një ushtim,
Dhe mburimi që kullon.
Gjithë më thonë plot gëzim,
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha që po pret,
Si zog pylli që këndon.
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Mua zemëra gjithë më rreh,
Brenda gjaku më valon.
Ma ndes mallin më vë re,
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull po më pyet,
Djalë ç’pret e s’dashuron.
Ditet shkojn, jeta shket,
Dashuro, se koha shkon!

Asdreni