SHARE

“Nga ambëlsia e gjumit që heshton orët trillane të botës më kishte shkundur krisma grithëse që lëshoi përplasja e derës së kullës. Bashkë me stuhinë e zhgënjimit ajo kishte ikur duke marrur me vete përpos plaqkave të saj edhe dromcat e nënqeshjes së lashtë të përjetimit.

Nuk shpreha zemërimin me sharje e as nuk ulurita. Kur shkundja kujtimet e mollta vazhdoja lojën e fëmijërisë me këlushët e mij në oborrin e kullës dhe shtriheshim në pllakat prej guri mes të cilave ngritnin kokën barishtet e njoma. Prisja kthimin e saj deri në marrëzi i pavendosur, nëse këtë bezdi ndezjeje ta bëja memece në trurin tim apo ta mendoja si një figurinë dylli…

Një ditë kur dielli varej në horizont si një kokërr molle e tejpjekur në pemën e qiellit ajo u kthye tek gurët e kullës,vuri kokën në gjoksin tim dhe duke mbullur sytë më pëshpëriti fshehtas nga krenaria e saj.

– Mos më lër në mbretërinë e harrimit tënd,se është më e tmerrshme se asgjëja.”

Valdet Avdiu, “Tetë vdekjet e mia”