SHARE

“GRUAS”

Të falënderoj që në sajën tënde marr frymë,
Që ha këtë bukë të bardhë në sofër,
Që lulja s’m’u tha nga një brymë,
Që ngjita gjer lart atë kodër.

Të falënderoj dhe që pi nga mërzia
Të hidhurën kafe, të ligën cigare
Të nxjerrë në muzg nga kutia,
Të blerë në treg me pak pare.

Të falënderoj dhe që ti s’më ke Iënë
Ti hyj lakuriq dëshpërimit të thellë.
Për krahu me zor më ke zënë,
Të dalim me vrap nga kjo shpellë.

 

“POETI PLAK”

Dhe shkruaj i heshtur vjersha pak e nga pak
Fshehur prej gruas dhe tinëz të tjerëve,
Se fshehur flasin: “Iku nga mentë ky plak!”

I ulur diku në një qoshe fletorkën e mbaj
Mes gjunjëve kockë e lëkurë e tinëz të tjerëve,
Tek pi si Firdusi të hidhurin çaj.

Dhe kur më zhurmon së largu një çap,
Atje ku tulitem tinëz të tjerëve,
E fsheh fletorkën dhe veshët i hap.

Ç’ti bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg
Larguar prej gruas e tinëz të tjerëve,
Kur të lajthiturit çirren: “Mbyll gojën, ti plak!”

Ah, dua t’i them ato që s’i thashë dikur,
Ndaj kohën e shtyj mes vargjeve tinëz të tjerëve
Diku në një qoshe veçuar si gur.

Rri shkruaj veçuar jo se i trembem njeriu,
Po s’dua t’u hapet goja për mua të tjerëve
Dhe s’dua të grijnë: “Lajthiti i ziu!”

E di se jetoj me të çmendur, në gaz e në vaj,
Ndaj shkruaj fshehur prej gruas e tinëz të tjerëve
Dhe pi si Firdusi të hidhurin çaj…