SHARE

…Nuk e dini ju se sa kujdeseshin ato për mua kohët e para të martesës së tyre! (Oh! ç’martirizim mizor!) U dhashë të dyjave nga tetëqind mijë franga, s‘kishin si të silleshin keq me mua, as ato, as burrat e tyre. Pa t’i shikoje si më prisnin. “Këtu babush, atje babaçko“. Gjithnjë shtruar do ta gjeja tryezën tek ato, me një fjalë haja bashkë me burrat e tyre që më nderonin shumë. U dukej se unë diç kisha akoma. Pse vallë unë skisha folur kurrë për tregtinë time, një njeri që u jep të bijave nga tetëqind mijë franga prikë, e vlen që të përkujdesesh për të. Dhe, ato më s’dinin ç’të bënin, po u bënin nderë parave të mia, jo mua. Ç’botë e qelbur! Ia kam pirë lëngun unë! Më shpinin në karrocë në teatër, dhe, kur më pëlqente, rrija në mbrëmjet që bënin. Shkurt, ato s’e kishin për turp që ishin për turp që ishin vajzat e mia.

S’jam unë budalla, unë, jo, mos kini merak, të gjitha i kam vënë re. Gjithë plumbat kanë goditur në shenjë dhe më kanë përshkuar zemrën. E shihja fare mirë unë që ma kishin me djallëzi; po qe sëmundje që s’kishte ilaç. Në tryezën e tyre rrija si mbi gjemba, s’e ndieja mirë si në tryezën e pensionit. Unë s’dija të thosha dy fjalë bashkë dhe, kur i pyeste dhëndurët e mirë ndonjë nga ata zotërinjtë e shoqërisë së lartë: “Kush është ky zotëria?” ata i përgjigjeshin: “Është babai i florinjve, është i pasur”. “Hej, djalli!” – ia bënte ai dhe më vështronte me respektin që u bëhet florinjve. Po dhe në bezdiseshin ndonjëherë nga unë, ua shpërbleja dyfish me të mira atë bezdi. Fundja, kush është i përsosur? (Plagë e kam këtë të shkretë kokë!) Unë heq e vuaj tani gjithë sa mund të vuajë njeriu kur jep shpirt, o i dashur Eugjen, po të gjitha këto s’janë asgjë përpara dëshpërimit që më shkaktoi vështrimi i parë i Anastasisë, ai më dha të kuptoja se kisha thënë një marrëzi që e kisha fyer. Vështrimi i saj më futi në dhe të gjallë. Do të desha t’i mësoja të gjitha, por vetëm një gjë kuptova mira: që isha i tepërt në këtë botë.

O Perëndi! Po meqë Ti e di se ç’të zeza kam hequr, meqë ti i ke numëruar thikët që kam marrë në atë kohë që më plaku, që më nxiu, që më vrau, që më thinji, pse më bën të vuaj sot? Unë e kam larë mëkatin që i kam dashur tepër. Ato janë shpaguar për dashurinë time, më kanë torturuar si xhelate. Ah, sa budallenj janë prindërit! I doja aq shumë, saqë prapë shkova tek to, si ai kumarxhiu në bixhoz. Vajzat e mia ishin vesi im: ato ishin padronet e mia, ishin gjithçka për mua!…( Më dhemb, më dhemb shumë, o zot!Mjekët, ku janë mjekët, sikur të ma hapnin kokën, nuk do vuaja kaq shumë.) Anastasinë! Delfinën! Dua t’i shoh! Dërgoni merrini me policë, me forcë! Drejtësia është me mua, të gjithë janë me mua, natyra, Kodi Civil. Unë protestoj! Atdheu do të shkatërrohet, në qoftë se prindërit merren nëpër këmbë…