SHARE

Po kërcisnin dërrasat e vjetra të shtëpisë, gjumi më doli nga lehja e Karabashit. Isha djersitur në gjum aq sa flokët që gjithmonë i mbaja në anën e djathtë të ballit, më ishin ngjitur dhe ishin bërë plot yndyrë. Dëgjoja gjyshin në dhomën tjetër duke u kollitur e duke gjëmuar nga dhimbjet. Më dhimbsej tepër, thoja pse Zoti po e dënon kështu e nuk po e merr pranë vetes, ta çlirojë nga kjo botë plot vështirsi e mundime.

Babai u zgjua ashtu si me përtesë por nuk kishte faj i shkreti, kishte punuar tërë ditën me gurë tek një fqinj i largët që kishte një firmë me rreth 15 puntorë. Kur erdhi në shtëpi sot në darkë i kishte flokët tërë pluhur, sytë i kishte gjak nga puna me saldim, këmbën e ngrehte ashtu zhagazi pasi po atë këmbë e lëndoi gjatë manovrave ushtarake gjatë luftës. Shpesh kjo gjë i pengonte të gjente punë dhe babai kthehej në shtepi pa asnjë shpresë, i humbur!

Ulej pranë oxhakut dhe lozte me gishtrinjtë e tij. I kërciste ato në një mënyrë sikur dëshironte t’i ngulfate. Nuk donte të fliste me askë dhe një atmosferë e zymtë pushtonte dhomën.

– Agron, zgjohu, ma bjer legenin! Gjyshi nuk po ndihet mire!

Largoj jorganin e rëndë dhe i heq qafe edhe ato dy shishet e mbushura me ujë të nxehtë që kisha futur gjatë natës në shtrat me mua që të më ngrohnin. Mora vrap për tek banjoja dhe marr legenin.

– Erdha babi, ja ku e ke!

– Më ndihmo që ta lëviz gjyshin në këtë anë që ta ketë më të lehtë të vjell!

E kap nga krahu i djathtë kurse babai e kap nga ana tjetër. Mezi e kthyem dhe gjithmonë më çudiste sesi ky njeri kockë e lëkurë sërish peshon kaq shumë. Mos ndoshta peshojnë mundimet e tij që ai po i mban në shpirtin e tij momentalisht në këtë gjendje mes dy kufinjve: të jetës dhe vdekjes. Apo mundimet gjatë jetës së tij që kur ishte i shëndoshë gjithmonë nuk pritonte të më tregonte historitë e tij të ndryshme heroike në kohëra betejash që mua gjithmonë më dukeshin si fantazira me filma kauboj.

Gjyshi nuk po villte, ai po na bënte me shenjë që ta kthenim sërish në shtrat, ia plotësuam këtë dëshirë pasi që nuk donim ta mundonim më shumë.

– Shko! Bjer flej tani, është ende herët! – më thotë babai me një zë të qetë paramëngjesi.

Iu binda. Isha ende i përgjumur, duhej të pushoja pasi nesër më priste një ditë e stërmbushur me komente fyese të nxënsëve të klases, mendjemadhësi dhe sjellje mburrse të profesorve që ia pandehin vetes si evropian por që sjellja e tyre i tradhtonte ku i vinte në pah hijen e madhe komuniste që mbulonte kokat e tyre intelegjente, pastaj teori e detyra të shumta, mandej puna në shtëpi. Vetëm kur i numëroja kapakët e syrit mu mbyllnin paramendo mundin që do bëja të nesermen duke e kryer këte rutinë.

Gjeli ia nisi këngës, u zgjova, vrapova për të larë sytë e për ta kryer atë rutinën e zakonshme të mëngjesit.

Babai e zgjati kokën nga dhoma e tij dhe më tha:

– Agron, sot mos shko në shkollë! Kemi punë në shtëpi! Edhe gjyshi nuk po ndihet mirë! Nuk e di a e ka edhe shumë gjatë!

Kjo fjalë më tmerroi, nuk doja që ai të vdiste, jo, jo asesi nuk doja ta pranoja se kjo ditë po afrohej ku duhej t’i thoja lamtumirë këtij njeriu me mustaqet e thinjura por të bëra verdhë nga kaçaku, lloj duhani që ai pinte. Më kujtohej sa e sa herë u ulnim në fushë duke ruajtur bagëtinë ku ai nxirrte kutinë e duhanit, merrte letrat, me aq kujdes e përkushtim e lagte letrën me gjuhë dhe pastaj e mbushte duhan, e fuste në llullë dhe e ndizte. Përkushtohej aq shumë në këtë përgatitje thua ti se ishte sendi më i rendesishem në jetën e tij.

Dhe pastaj fillonte historitë e tij ku kishte qenë në luftë kundër bullgarit, gjermanit e serbo-çetnikëve që ai parapelqente t’i quante. Asnjëherë nuk do t’i harroj ato ngjarje që ai m’i tregoi me kaq zell. Më kujtohet një fjalë që ai e përmendte shpesh. Thoshte siç është mileti është edhe hyçymeti biri im. Prandaj duhet të zgjohemi nga gjumi se ariu mezi s’pret të na sulmojë tufën.

Eh i gjori gjysh, ariun gjithmonë e kishte menduar si një kafshë që nuk vinte nga gjiri jonë, asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që arinjë të murrëm ishin lindur me shumicë brenda tufës tonë. Shqiprinë e donte shumë, më kujtohej kur një mik në një dasëm filloi t’i qeshte vëllezërit tanë nga jugu. Gjyshi veq sa nuk e nxori armen e tij që e mbante në shokë për ta vrarë. E vrante ideja që kishte shqiptarë që urrenin shqiptarë, që ideali për bashkim po luftohej nga vetë shqiptarët, që shqiptarët po tentonin të krijonin identitet tjetër për t’u dalluar nga njëri-tjetri. Jo, për t’u dalluar nga vetvetja.

Lajmet kishin filluar, një lider partiak kishte filluar fjalimin. Po fliste fjalë të mëdha, fjalë ndryshimi, fjalë që e binin erën e revolucionit e shpëtimit.

Po bënte thirrje për protestë, dukej tepër vetbesues në atë që po thërriste. Babai e dëgjoi për rrafsh dy orë dhe disi ndryshoi diçka mbrenda tij, ai pa një shpresë! U pa në sytë e tij që ishte i gatshëm për aksion, për veprim!

– Do të dal! Boll është boll! Nuk dua ta shoh babën plak të më vdes kështu kaq i gjorë pa e parë Shqiprine ashtu si duhet të jetë! Ashtu si deshi ta shihte Hasan Prishtina e Bajram Curri! T’i sheh frytet e tij të luftës. Shpirti i ka mbetur në fyt, ky po vuan kur më sheh mua kështu duke qëndruar si viç vetëm duke shikuar e i manipuluar nga të gjitha anët. Por do të veproj baba plak, do ta çoj idealin tënd në vend, që të shkosh më kollaj në atë botë edhe ti dhe të shkosh i lumtur që bijt e tu e arritën atë që ju nisët.

Babai del nga shtëpia, shoh nga dritarja duket shumë i entuziazmuar. Po e merr rrugën që çon drejt kafenes së fshatit, me siguri dëshiron që të shpërndaj idenë e tij për veprim edhe tek të tjerët, të shumfishojë veten. Ah sa mirë do ishte t’i shihja të gjithë ata burra që po hajnë meze e pijnë kafe gjithë ditën të dalin në qytet e ta bëjnë lëmsh atë qytet, të kthejnë gjithçka përmbys dhe të japin mesazhin që mjaft është mjaft. Nganjëherë duhet të kthejmë gjithçka përmbys për të na ardhur punët mbarë, kontrast i çuditshëm kjo tezë mund të thuash por më trego ti diçka më të mirë?

Kishte rënë muzgu, tashmë vetëm disa qen të lagjes dëgjoheshin duke lehur ku edhe Karabashi ynë iu bashkangjitej në atë tingull. Babai hyn në shtëpi, entuziazmi nuk i dukej më në fytyrë, përkundrazi errësira ia kishte mbuluar surratin. Doja të kuptoja ç’ndodhi por nuk isha aq trim sa ta pyesja. Frikësohesha se do të ma derdhte tërë inatin e tij në mua dhe kjo kishte ndodhur me mijra herë të tjera. Nuk doja që të ndodhte edhe një herë.

Lajmet filluan sërish, në ekran paraqitet i njejti lider serioz e plot vetbesim. Por babai nxiton dhe e merr telekomandën, e ndal televizorin dhe e shan ashpër. Shfryhet në të dhe thotë:

– Edhe ti je si gjithë të tjerët. Ndoshta je edhe ndryshe. Por ç’të bëj nuk mundem i vetëm të të ndjek. Turprohem ta them këtë gjë por po friksohem të reflektoj, të ndryshoj!

 

Autor: Shefket Bujari