SHARE

… Tokësore janë të gjitha të mundshmet, e dëshirimeve të yshtura nga vershimi uturitës i gjakut dhe përpushjet e prushta të plagës së epshit. Qiellore mbeten vetëm dashuritë, ata që jetojnë në ëndrrat tua, grua prej zjarri dhe ajri, grua prej mishi dhe fryme. Grua që dëshiron çfarë mundesh dhe do çfarë do të jetë gjithnjë jotja… afsh yjesh.


Ti grua që beson në ëndrra dhe në dashuri, dhe gatitesh t’i jepesh çdo sakrifice që hyji yt dorën nga ty shtrin… dhe i ofrohesh mish e shpirt, si asaj që e lartëson në idil kurmin tënd dhe e qëndis me yje mantelin e dritës që vesh, ndërsa shndërrohesh nga gjendje në frymë.

Ti grua, ti që di të dashurosh hyjshëm, ti që mund t’i zbresësh qiejt e t’i mëkosh çastit sublim frutin më të ëmbël të dalldisjes. Ti që dëshiron gjithçka dhe bën tënden përmes këtij kodi sekretesh qiellore, çdo të mundshme, duke rrënjëzuar në yje thirrje epshi.
Ti… jeton në çdo thërrmijë të krijimit dhe pjesmerr në të gjitha trajtat e shkrepëtimës së dritës.

Tek ti nuk ka gjak që vërshon në deje, por magmë e gufimit të shkëmbit, vlim i kahmotshëm i thalbit të ngjizjes. Pulsi yt rreh në çdo vetëtimë të syrit tënd, syrit që sheh epshëm e djeg potershëm. Prek me petale lulesh e ndërsen tërbimin e të gjithë etjeve, që kanë përcëlluar verën e dëshirimit të mishit që puprron nën rrëkenë e një zjarri që të kthen në frymë.

Kridhesh në andje flijuese, si blatim i një perëndie që të shndërron në altarin e besimit te mrekullitë e hireve adhuruese që mbajnë pezull kurmin tënd… e ashtu prej ajri lëviz nëpër gishtat që zgjaten, si re dhe derdhesh me rrebesh ku joshja përpush e prush.

Prehesh ashtu puhizshëm në tërbimin që ngërthen. Buzët t’i nduk puthja si në një etje epike, e frymëmerr ne jehonën e thellë ku sakrifikohen shpirtrat.

Kur hap sytë sheh një dritë verbuese që të është derdhur mbi ty si një mantel, rrëzohesh mish mbi mish, për të mos u zgjuar më, derikur drita të shuhet çdo hukam e të fiket çdo drithërimë… e terri të të thërrasë në një gjumë letargjik, si në një sakrificë.

Ti, grua që dashuron hyjshëm, nëse do të mësosh të urresh, s’pari duhet të mësosh të urresh vetveten që di të dashurojnë me kaq forcë dhe të jepet me kaq përkushtim e përkorje si asaj epjeje që të merr si send e të kthen në gjëndje.

Nëse unë të dua, të dua sepse nuk mund të dëshiroj asgjë më shumë se atë çfarë në mishin tënd është qiellore, në shpirtin tënd është e hyjshem. Dashuro siç di vetëm ti dhe gjithçka tjetër në gjithësinë e gjërave dhe gjendjeve ka një emër, dashuri.

Ti grua që di të dashurosh kësisoj e të jepesh flijuese, veten e ke bekur me shenjtëri dhe mua më ke shpërblyer me besim në mrekullinë e shndërrimit; në çdo epje, në çdo prekje, në çdo puthje, në çdo kopulim… qiell mbetsh në mua.

Ti, grua që dashuron hyjshëm… je një e pamundur cfilitëse, je si një lule dehëse në rrëpirën e një shkëmbi të thepisur… ai që guxon të meriton.
Unë druej!/albertvataj