SHARE

Kur të desha unë…

Ti ishe si një pikë loti e pastër,
Kur unë të desha ty.
Pastaj më rrëshqite mbi faqen e ashpër,
Për në të tjerë sy…

Kur të desha unë, e pa prekshme ishe,
Si një lot i ndritur…
Mbase more plagë, apo thjesht gërvishtje,
Nga unë duke ikur…

Ti ishe e mirë, po s’di si ke mbetur…
Unë? Pak egoist…!
Veç, s’ka faj, as loti kur rrëshqet i heshtur,
As sytë natyrisht…

EJA EDHE SI DHIMBJE!

Ti mos u trishto që unë jam kështu,
S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.
Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,
Dhimbjet e botës strehohen tek mua.

Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,
A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.
Mos më merr inat që nuk i ndala dot,
Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.

Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,
Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.
Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,
Ku askush troket, as nuk hynë njeri.

Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,
Si do që të vish, unë të pres tek dera.
Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukurom gjithë dhimbjet e tjera.

EPITAF DHE PËR ATA QË S’KANË IKUR ENDE !!…

Të kam dashur, të desha pa kushte,
Dhe kur thuajse i humba të gjitha.
Dhe kur shpirtin ma zure në kurthe,
Dhe kur brenda teje kishte ngrica.

Të kam dashur, të desha më tepër,
Dhe kur mallin ma largoje me ngut.
Dhe kur ti e flakje si leckë të vjetër,
Të kam dashur, të desha pa kusht.

Dhe kur mblidhja pas teje në baltë,
Mallin që shkëputa për ty nga vetja.
Dhe kur s’munda të thosha:-Mjaft!
Ta dish, o Zot, pa kushte të desha!

E them tani që s’bëj dot më asgjë,
Tani që malli u kthye pirg me dhè.
Si nuk të vura një kusht, vetëm një:
Të mos ma shkelje barin mbi kube?

Sokrat Habilaj