SHARE

I PATURP JAM

S’i kam dashur kurrë gjërat e bujshme
Dhe shpesh jam menduar duhan duke pirë;
Ka gjëra lakuriqe që s’janë të turpshme,
Siç ka dhe gjëra të ç’ndershme të veshura mirë.

Ja,e vërteta rri lakuriqe ngaherë,
Ja, dhe gënjeshtra me petka rri veshur!
Më thoni: cila ka turpin dhe cila ka nderë?
Kjo që ju thashë s’ka gjë për të qeshur!

LYPËSI I KOHËS

Atij i ikën të gjitha: ditët, javët, muajt e vitet,
I ikën ashtu pa kuptuar sa gati s’arriti t’i shohë.
Ishin vitet e tij, kur njeriu urdhëron, vërtitet e rritet,
Po ikën dhe mbeti pa kohë, dhe thotë: “Na ishte një kohë!”

Njeri pa kohë, i zbrazur nga koha që pate!…
Të jesh pa kohë, më i mjerë se të mjerët,
Askush s’të pyet ku shkove, ku vajte,
Atëherë ti bëhesh lypës i kohës që kanë të tjerët.

Ai ushqehet e rron, po rron si kufomë,
Fle dhe zgjohet sipas instinktit dhe normës,
Veçse ka mbetur pa kohë, ka mbetur një qenie pa formë,
Nëse do ta quanim kohën përmasë të formës.

Letër

I dashur mik ,
Kur vjershat e mia lexon varg për varg ,
Ti thua se unë në vatër kam lumturi ?
Vërtet , vëlla , ashtu të duket nga larg ,
Ndërsa aspak nuk e di !

I dashur mik ,
Çdo natë të shtrihesh në të njëjtin krevat ,
Të ngrihesh nga i njëjti shtrat çdo mëngjes ,
Dyzet vjet të njëjtin varr e të njëjtin fat
Dhe i lumtur të jesh ?

Dritëro Agolli