SHARE

Ç’janë kujtimet? – Jeta e jetuar me emocione, me të gjitha armët që e mbajnë te gjallë, me të gjitha normat dhe kanunet që ka krijuar kuvendi i shekujve. 

Dikur kam shkruar tetë vargje për Kujtimet. Dhe, me sa mbaj mend thosha: “O kujtime, o jeta ime! Dilni andej nga jeni hedhur të grumbulluara me vullnetin tuaj, pa asnjë shtypje a kanosje, dilni ashtu siç u regjistruat në shiritin e pafund të magnetotrurit tim. Tani jua dua!”
Pse kerkoja të dilnin kujtimet e mia, të dilnin ashtu siç u grumbulluan nga emocionet, nga vizionet, imazhet, skenat, dramat, tragjeditë, tragjikomeditë e jetës sime?

Sepse atehere kur shkrova këto vargje, isha i internuar në ishullin e shkretë të Ustikes, atje në atë nisi të vetmuar dhe njeriu i veçuar nga jeta, ose me mirë i vdekur, se i vdekur është ai që jeton me kujtimet, kurdis magnetotrurin e tij dhe kalon kohën i qetë, duke numëruar hapat e këmbëve dhe të mendimit, të zemrës dhe të përvojës së tij.

Ç’mbetet në kujtesë, ka kaluar nëpër shoshën e viteve, të shqetësimeve dhe të ëndrrave, të realitetit lakuriq dhe të gjurmëve të thella te ë emocioneve, imazheve, vizioneve, peizazheve, duarve, syve, zemrave, zërave, kujave, këngëve, valleve, intrigave, pasioneve, shqetësimeve, dashurive, flirteve, gjuhëve, tingujve, shfaqjeve të përditshme në ekranin e pafund të jetës…