SHARE

“Njoh shumë njerëz që kanë shkuar në mbrëmjet e ribashkimit të shkollës së mesme dhe menjëherë kanë rënë në dashuri, ndonjëherë me ndonjë të dashur të vjetër, ndonjëherë më dikë të cilin nuk e njihnin mirë. Shumë janë rehatuar në martesa të vona, disa të suksesshme, disa shkatërrimtare.

Besoj që shumë prej tyre dashuruan përmes asociimit, që do të thotë se dashuruan gëzimin e rinisë, ditët e tyre të para të shkollës, dhe pritshmëritë e tyre ëndërrimtare të një jete ngazëllyese, që zgjatej para tyre në mënyrë magjike dhe të pamatshme. Por nuk ishte rënie në dashuri me ndonjë njeri në veçanti. Ishte kthimi i atij personi në një simbol të gjithë gëzimit të rinisë së tyre.

Ajo që po përpiqem të them është që Sergei ishte pjesë e asaj kohe magjike të rinisë dhe meqenëse ai ishte atje në atë kohë ju e mbrojtët me dashuri, që do të thotë se ju futët dashurinë tek ai.”

Natasha qëndroi e heshtur. Rreth dy minuta më vonë e pyeta:

–  Çfarë po ju shkon në mendje gjatë kësaj heshtjeje?

– Po mendoja për titullin e librit tuaj, “Ekzekutuesi i dashurisë.”

– Dhe ju mendoni se jam ekzekutues i dashurisë me ju?

– Nuk mund ta mohoni këtë.

– Kujtohuni se ju më thatë se ratë në dashuri me Pavelin dhe keni një jetë të mrekullueshme bashkë dhe kur e thatë këtë, nuk ndjeva gjë tjetër veç se për ju dhe për të. Kështu që nuk është dashuria ajo së cilës i jam qepur. Preja ime është mirazhi i dashurisë.

Heshtje.

– Pak më fort.

– Ndiej një zë kaq të butë, një pëshëpritje brenda meje.

– Që thotë?

– Thotë: “Vafsh në djall, nuk heq dorë nga Sergei.”

– Kërkon kohë dhe duhet ta bëni me ritmin tuaj. Më lejoni t’ju pyes për diçka tjetër. Vras mendje nëse keni përjetuar ndonjë ndryshim që kur filluam.

– Ndryshim? Për çfarë e keni fjalën?

– Dje ju përshkruat atë ndjenjën e tmerrshme marramendëse të të qenit jashtë jetës suaj, të mospërjetimit të gjërave apo të mos qenit prezente. A ka ndryshuar kjo simptomë? Mua më duket që jeni goxha e përfshirë në seancat tona.

– Nuk mund ta mohoj këtë, ju keni të drejtë. Futja e kombës në vaj të  valuar ma përqëndron mendjen në mënyrë të shkëlqyer.

– Ju mendoni që unë jam mizor?

– Mizor? Jo ekzaktësisht mizor, por i rreptë, vërtetë i rreptë.

I hodha një sy orës. Vetëm disa minuta kishin mbetur. Si t’i përdorja ato në mënyrën më efektive?

– Pyes veten, Natasha, nëse keni ndonjë pyetje për të më bërë.

– Hëm, kjo është e pazakontë. Po, kam një pyetje. Si ia bëni? Si e përballoni të qenit tetëdhjetë vjeç dhe ndjenjën që fundi është afër?

Teksa mendova për përgjigjen ajo tha:

– Jo, unë po tregohëm mizore. Më falni, nuk duhej t’ju kisha pyetur!

– Nuk ka asgjë mizore në pyetjen tuaj. Më pëlqen që ma kërkoni këtë. Po përpiqem ta formuloj, të jap një përgjigjë të ndershme. Ekziston një shprehje e Schopenhauerit që e krahason pasionin e dashurisë me diellin verbues. Kur zbehet, në vitet që vijnë, ne befas bëhemi të ndërgjegjshëm për qiejt me yje të mahnitshëm, që janë errësuar ose fshehur nga dielli. Kështu që, për mua, zhdukja e pasioneve të rinisë, disa herë tiranike, më ka bërë që ti vlerësojë më tepër qiejt me yje dhe të gjitha mrekullitë e të qenurit gjallë, mrekulli që më parë i kisha anashkaluar. Jam te tetëdhjetat dhe do të ju them diçka të pabesueshme: nuk jam ndier ndonjëherë më mirë apo më shumë në paqe me veten. Po, e di që ekzistencës sime po i vjen fundi, por fundi ka qenë aty qysh në fillim. Ajo që është ndryshe tani është që unë çmoj kënaqësinë e thjeshtë të të qenurit i ndërgjegjshëm dhe jam me fat që ta ndaj me gruan time, të cilën e kam njohur pothuaj gjatë gjithë jetës.”

Irvin D. Yalom, “Krijesat e një dite dhe rrëfenja të tjera të spikoterapisë”

Përgatiti: Filozofia.al